Qeveria e Kosovës i ka zgjatur masat emergjente për furnizim me energji, njofton Gazeta Enigma.
Pas vendimeve dhe deklaratve të fundit të kryeministrit Kurti dhe ministres Rizvanolli, se nuk pritet të ketë reduktime muajt e ardhshëm “Gazeta Enigma“, ka kontaktuar me ekspertin e energjisë elektrike Lulzim Syla.
Syla në një përgjigje për “Enigmën“, deklaroi se pavarësisht ndryshimeve të temperaturave vendi ynë dhe buxheti i Kosovës mund t’i përballoj edhe nëse do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, gjithashtu duke mos i destabilizuar edhe qytetarët në anën financiare si tatimpagues.
“Pavarësisht ndryshimeve eventuale në muajin janar ose shkurt të temperaturave besoj që situata nuk do të përkeqësohet shumë sa i përket çmimeve të energjisë elektrike, për shkak se ka një stabilitet të mirë të burimeve të energjisë siç janë gazi dhe nafta dhe potencialet e tjera të ripërtritshme në tregun e Evropës, ku me automatizëm ndikon me një stabilizim në tregun e energjisë edhe në Bursën e energjisë ku edhe blihet energjia elektrike. Prandaj besoj dhe shpresoj se do të ketë një stabilitet për të cilin edhe nëse do të ketë një rritje të çmimit eventual të energjisë elektrike në Bursat e energjisë, buxheti i vendit do të ketë mundësi t’i mbuloj ato pa krijuar një ngarkesë financiare të madhe në buxhetin e vendit qoftë edhe për qytetarin si tatimpagues”, u shpreh Syla.
Ajo çka duhet të bëhet sipas tij vazhdimisht është promovimi i kursimit të energjisë elektrike, ruajtja e termocentraleve dhe rrjeteve energjetike.
“Ajo çfarë duhet bërë dhe çka duhet të punohet më tepër është në mbajtjen e komunikimit edhe promovimit të kursimit të energjisë elektrike dhe njëkohësisht të kemi kujdes sa më shumë në ruajtjen e aseteve strategjike, siç janë termocentralet edhe rrjetet energjtike që të performojnë sa më mirë dhe të punojnë sa më mirë, dhe të kujdesemi që përmes ligjeve dhe mbështetjes financiare t’u jepet rasti qytetarëve edhe bizneseve të investojnë në energji të ripërtritshme që të kenë sa më pak ngarkes prodhimi nga termocentralet”, përfundoi Syla për “Enigmën“.
Me kriza rreth energjisë elektrike po përballet e gjithë bota, ndikimi i të cilës po vërehet edhe në vendin tonë
Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka paralajmëruar se furnizimi me energji mund të përkeqësohet.
“Duke marrë parasysh se çështja aktuale me energji mund të përkeqësohet dhe çmimi i importit mund të shënojnë ngritje gjatë këtij muaji dhe muajve në vijim, ka propozuar masa për energji”, tha Kurti. Ndërkohë që ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, deklaroi se nuk pritet të ketë reduktime edhe pse vendi po pritet të hyjë në muaj kritik të dimrit për shkak të uljes së temperaturave.
“Vendosëm masat emergjente për furnizim me energji, duke qenë se situata me furnizim me energji pritet që të përkeqësohet gjatë javëve në vijim, duke marrë parasysh uljen e temperaturave në të gjithë Europën. Po hyjnë në javë dhe muaj kritikë të dimrit. Kjo nuk do të thotë që do të kemi reduktime… Nuk jam duke e thënë këtë”, tha Rizvanolli.
Ndër të tjera ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, iu bëri thirrjë Koorporatës Energjetike të Kosovës dhe KOSTT-it, që të marrin masat e nevojshme për furnizim të rregullt me energji elektrike.
Vendimet e Qeverisë:
Vendimin për Masat Emergjente në Furnizimin me Energji është miratuar për shkak të krizës energjetike botërore. Rritja rapide e çmimit të importit të energjisë dhe paralajmërimi i ndalimit të eksportit të lëndëve fosile nga disa shtete evropiane do të ndikojë në rritjen e mëtejshme të çmimit të importit. Duke marrë parasysh riparimet e planifikuara në termocentralet tona, bënë që disa prej kapaciteteve gjeneruese të jenë jashtë funksionit, andaj Qeveria e sheh të domosdoshme aprovimin e Masave të Emergjencës në Furnizim me Energji. Masat do të jenë në fuqi për 60 ditë nga data e hyrjes në fuqi, me mundësinë që Kuvendi i Republikës së Kosovës të zgjas afatin e tyre në periudha prej 30 ditësh, maksimalisht deri në 180 ditë shtesë.
Vendimin për ndarjen e njëzet e katër milionë e gjashtëqind mijë eurove (24.6 milionë euro) për përballje të ngritjes së mundshme të çmimit të energjisë elektrike dhe masës 3.7 të Ringjalljes Ekonomike./GAZETAENIGMA/