I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është shprehur i bindur se liberalizimi i vizave për Kosovën është shumë afër.
Ky deklarim, ngjalli shpresa edhe më shumë te qytetarët e Kosovës se mund të dalin nga “grilat” dhe të lëvizin lirshëm shtetet e Bashkimit Evropian.
Një lëvizje pozitive në këtë aspekt e sheh edhe analisti për çështje ndërkombëtare, Durajet Imeri, i cili në të njejtën kohë tha se nuk mund ta shohim si punë të kryer.
“Sa i përket deklarimit të Lajçak për liberalizimin e vizave për Kosovën, është e qartë që ka një lëvizje pozitive, mirëpo këtë nuk mund ta shohim si punë të kryer porse Bashkimi Evropian dhe institucionet e saj e kanë parë të nevojshme për kohën që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm drejt Bashkimit Evropian”, tha Imeri për Gazetën Enigma.
Imeri theksoi se lëvizja pozitive e liberalizimit te vizave lidhet me shumë gjëra.
“Ky process lidhet me nevojën që Bashkimi Evropian të rifitoj besimin te qytetarët e Kosovës, lidhet me situatën politike në Ukrainë sepse në këtë mënyrë BE po dëshiron ta mirëmbajë paqen dhe sigurinë në Ballkan dhe duke dhënë vizat për qytetarët e Kosovës natyrshëm se do të shtensionin një situatë, ndërsa lidhet edhe me luftimin e krimi të organizuar dhe korrupsionit nga qeveria aktuale”, shtoi ai.
Pra,sipas tij këta janë tri komponente kryesore pse mund të ketë lëvizje pozitive, por duke konsideruar se më e rënëdësishmja mbetet që BE-ja të rifitoj besimin e qytetarëve.
“Këto tri arsyje, rrjedhimisht lidhen me arsyen e katërt që është nevoja sa më shpejt të jetë e mundur për të arritur një marrëveshje ku BE është shumë i interesuar arritjen e një gjëje të tillë sepse në këtë mënyrë do të tregonte qartë se Kosova ka të ardhme evropiane, do të tregonte Serbisë se Kosova do të mund të ec drejt BE-së me dhe pa Serbinë”, theksoi ai.
Imeri thotë se “akoma mbetet për t’u parë nëse shtetet e BE-së përmes ministrave të tyre në Këshillin e Ministrave do të vendosin për një gjë të tillë”.
“Presim e të shohim ngaqë ky vendim është puropolitik dhe shtetet të cilat akoma se njohin Kosovën ende mund të vendosin në diskutim fatin e liberalizimit të vizave dhe në këtë mes kam parasysh ministrin e Spanjës, të Qipros, Rumanisë, Slloavakisë të cilët mund të kenë një qëndrim hezitues në këtë drejtim”, thotë ai.
“Është një lehtësim për udhëtim, por jo edhe për leje qëndrimi atje me karakter të punës për çka edhe mund të përdoret nga kosovarët”, nënvizon ai.
Çfarë tha Lajçak sa i përket liberalizimit të vizave?
I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak deklaroi se anëtarët e BE-së besojnë se Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë.
Diplomati theksoi se nuk mund të thoshte një datë të saktë, por është i bindur se momenti i liberalizimit të vizave për Kosovën është shumë afër.
“Sërish, ka një mendim mjaft të palëkundur mes shteteve anëtare të BE-së që Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë. Nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit. Por mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme europiane ndaj mendoj se është afër. Nuk guxoj të them një datë por ajo po vjen dhe këtë e them me siguri të plotë”, u shpreh Lajçak.
Edhe liderët institucional të Kosovës kërkojnë liberalizimin e vizave, duke thënë se vendi i përmbush të gjitha kriterët që qytetarët të lëvizin lirshëm.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Forumin e Prespës i kërkon Bashkimit Evropian liberalizimin e vizave.
Osmani tha se shtetet anëtare të BE-së duhet të miratojnë sa më parë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në fjalimin e saj, Osmani ka bërë thirrje edhe për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, si alternativë e vetme për paqen, stabilitetin dhe luftimin e ndikimetve ruse dhe kineze në rajon.
“Kosova tani prej pesë vitesh po pret liberalizimin e vizave, pas vendimit për BE-së për heqjen e tyre, por kjo akoma nuk ka ndodhur. Andaj i bëjë thirrje të gjitha vendeve anëtare të BE-së që ta miratojnë këtë vendim shumë të lehtë, nuk është i vështirë pasi i kemi përmbushur të gjitha kushtet dhe nuk ka asnjë arsyeje që qytetarët e Kosovës të mbahen në geto”, ka deklaruar Osmani.
Ndryshe, edhe presidenti i Serbise, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodhë më 23 qershor. Madje, këtë e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Francës.
Kjo ministri në një përgjigje thekson çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të diskutohet në takimin mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet më 23 qershor në Bruksel.
“Takimi i 23 qershorit i liderëve nga Bashkimi Europian me atë të Ballkanit Perëndimor do të jetë një shansë për të diskutuar mundësinë që vendet në rajon të përmbushin perspektivën e tyre evropiane dhe temat e tjera. Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, kjo është pjesë e një udhërrëfyesi që është miratuar nga Bashkimi Evropian, i cili përfshin një sërë kushtesh që duhet të përmbushen në afat të gjatë”./Gazeta Enigma/.