Sot ka filluar të mbahet samiti për “Ballkanin e Hapur” dhe do të vazhdojë të mbahet edhe nesër, në Ohër.
Mirëpo, Kosova ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë samit, derisa në lidhje me këtë ka folur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti tha se Kosova nuk duhet të hapet ndaj ndërhyrjeve verilindore dhe lindore.
“Ballkani Perëndimor 6 është i hapur për NATO-n, për BE-në, për Mbretërinë e Bashkuar, por nuk besoj që duhet të hapemi për ndonjë ndërhyrje verilindore ose lindore. Ne jemi në rregull me këtë dhe mbështetemi shumë te Procesi i Berlinit 2.0 tashmë, me një nisje të freskët nga kancelari Scholz”, ka thënë Kurti.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës tha se nuk i beson atij grupit politikanësh që besojnë të vetëmjaftueshmëria e Ballkanit Perëndimor.
LEXO EDHE: Kosova refuzon pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur” që do të mbahet më 7-8 qershor në Ohër
A veproi drejt Kosova që refuzoi pjesëmarrjen në samit?
“Kosova ka vepruar drejt që po refuzoi kërkesën për pjesëmarrje në nismën “Ballkani i Hapur”.
Kështu ka thënë për Gazetën Enigma profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.
“A ka mundur të shkojë atje, është çështje e nuancave ku si çdo qeveri e sheh strategjinë e tyre të komunikimit me partnerët e tyre rajonal, por në esencë refuzimi i Kosovës për Ballkanin e Hapur është i drejtë nga aspekti i asaj që kemi të bëjmë me shtete që kanë të bëjnë me Kushtetuta fashiste ekspasioniste”.
Arifi shton se “në momentin e duhur dhe në kohën e duhur ata mund ta bëjnë veprimin jo të duhur në kuptimin e asaj që mund të kemi konflikte”.
Se a mund të ketë pasoja për Kosovën pas refuzimit të pjesëmarrjes në këtë samit, Arifi thotë se nuk mund të ketë sepse sipas tij iniciativa të tilla do të dështojnë apo zbehen gjatë rrugës.
“Pasoja nuk besoj që mund të ketë sepse iniciative të tilla do të dështojnë apo zbehen gjatë rrugës sepse po flasim për shtete që nuk janë demokratike dhe nuk kanë demokraci të zhvilluar. Në këto momente secili shtet do ta gjejë një moment i cili do ta komprementojë veprimet e tyre në të ardhmen e afërt”.
Mes tjerash, profesori shton se deklarata e Rusisë për “Ballkanin e Hapur” mund të konsiderohet edhe provokative.
“Deklarata e Rusisë për “Ballkanin e Hapur” kinse iniciativë e Serbië, mund të jetë edhe provokative, pork jo nuk e përjashton kërkesën e Kosovës për të qenë të barabartë në çdo iniciativë”.
Ai thekson se në çfarëdo variant të jetë deklarata e Rusisë, derisa nuk demokratizohet nga mentaliteti kushtetues nuk do të ketë lëvizje positive në “Ballkanin e Hapur”.
Çfarë tha saktësisht ministri i jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov?
Deklarata mbështetëse për nismën “Ballkani i Hapur” nga ana e ministrit Lavrov, shkaktoi reagime te kundërshtarët e kësaj nisme se tashmë u bë e ditur se shteti rus pro saj.
Pas anulimit të vizitës së tij të planifikuar për në Beograd meqë Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria s’ia lejuan shfrytëzimin e hapësirës ajrore, Lavrov në një konferencë për media foli më gjerësisht për rajonin.
Duke synuar të kritikojë Perëndimon, ai tha se po e shndërrojnë rajonin në “Ballkan të Mbyllur”, meqë, sipas tij, vendet ballkanike nuk janë të lira të zgjedhin partnerët e tyre,
“NATO dhe BE duan ta kthejnë Ballkanin në një project të tyre të quajtur “Ballkani i Mbyllur”, tha Lavrov.
Po ashtu, Lavrrov tha se vendet e NATO-s mbyllën hapësirën e tyre ajrore për të sepse “ata nuk duan që ne të shprehim mbështetjen tonë për iniciativën e Beogradit”.
Ndaj kësaj deklarata reagoi presidenca e Kosovës.
Blerim Vela, shef i stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Lavrov e sheh nismën e “Ballkanit të Hapur” si një instrument për promovimin e hegjemonisë rajonale nga Rusia dhe Serbia.
“Ministri i Jashtëm i Rusisë, Lavrov konfirmon hapur lidhjen në mes synimeve hegjemoniste të Rusisë në Ukrainë dhe synimeve hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës. Për më tepër, Lavrov e sheh nismën e Ballkanit të Hapur si një instrument për promovimin e hegjemonisë rajonale nga Rusia dhe Serbia dhe për të prishur integrimin në BE dhe NATO”, ka shkruar Vela.
Ndërsa, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi shkruan se meqenëse Lavrov e mbështetë “Open Balkan”, ndërkohë që shkatërron Ukrainën, a do të thotë kjo se kushdo që mbështet këtë nismë mbështetë po ashtu edhe shkatërrimin e Ukrainës.
“Kur Lavrov mbështet konkretisht ‘Open Balkan’, ndërkohë që po shkatërron hapur Ukrainën, a do të thotë kjo se kushdo që mbështet Open Balkan po mbështet gjithashtu shkatërrimin e Ukrainës! Dhe çfarë është në të vërtetë Ballkani i Hapur?”, shkruan Abazi.
Veç këtyre reagimeve, të tjera kanë ardhur edhe nga ana e Serbisë, ku Vuçiq pretendon se “Ballkani i Hapur” deri më tani ka sjellë përfitime të konsiderueshme për Beogradin, Tiranën dhe Shkupin.
Ballkani i Hapur” është një projekt i jashtëzakonshëm”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiç shtoi se nuk do t’i lutet askujt për të marrë pjesë në “Ballkanin e Hapur” dhe njoftoi se në takimin e Ohrit do të nënshkruhen 4 marrëveshje mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Në Samitin e Ohrit do të nënshkruhen 4 marrëveshje për njohjen e diplomave, për bashkëpunim në fushën e tregtisë dhe turizmit dhe për bashkëpunim në fushën e kulturës e administratës tatimore. Këto janë fusha të rëndësishme dhe sigurisht që do të përfitojnë të gjithë”, tha presidenti serb.
Disa nga “faktet se pse nisma nuk ka të ardhme”
Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, ka vlerësuar se ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov ia ka dhënë “puthjen e vdekjes” iniciativës ‘Ballkani i Hapur’.
“Ashtu si falënderimi që shkon për Putinin për ‘freskimin’ e NATO-s, komplimente për Sergei Lavrov që i dha puthjen e vdekjes iniciativës Ballkanit të Hapur”, ka shkruar fillimisht Joseph në Tëitter.
Sipas tij, kjo ide e administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump avancon agjendën e partnerit strategjik të Rusisë në rajon, Serbisë, nën udhëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiq.
Në këtë kontekst, ai ka vënë në pah faktin se si edhe mediumi kryesor i Rusisë, “Sputnik Serbia” ka mbështetur vazhdimisht ‘Balkani i Hapur’.
“Dhe pse jo? Ballkani i Hapur është ftesë e hapur për Vuçiqin që të shfrytëzojë madhësinë ekonomike të Serbisë për përfitime politike – pa kufizime politike apo vlera të BE-së. Open Balkan = ‘Bota Serbe’ nëpërmjet tregut për fqinjët më të vegjël të Serbisë”.
Në këtë drejtim, Joseph ka tërhequr vërejtjen duke thënë se ajo që ka rëndësi është karakteri i regjimit me të cilin bëni tregti.
Ndryshe, “Ballkani i Hapur” synon përmirësimin e marrëdhënieve politiko-ekonomiko mes vendeve të rajonit. Planet për krijimin e Open Balkan u deklaruan për herë të parë në takimin e mbajtur më 10 tetor 2019 në Novi Sad të Serbisë.
Më pas pati dy takime të tjera të liderve të tre vendeve më 11 nëntor 2019 në Ohër dhe më 12 dhjetor 2019 në Tiranë. Më 29 korrik 2021 në Ohër, Vuçiç, Rama dhe Zaev nënshkruan marrëveshjen për liberalizimin e qarkullimit të mallrave, unifikimin e tregut të punës dhe bashkëpunimin kundër katastrofave.
Deri tani pjesë e kësaj iniciative janë bërë vetëm këto tre vende ndërsa Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina kanë hezituar t’i bashkohen. /Gazeta Enigma/.