Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka folur për reagimet që janë duke u bërë ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallës, lidhur me atë se ka dorëzuar dosje në Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët janë në paraburgim në Hagë.
Ai ka deklaruar se është duke u bërë një luftë speciale ndaj Gërvallës nga Partia Demokratike e Kosovës dhe nga të tjerët për shkak të frikës së jashtëzakonshme.
“Për një vit e gjysmë grupe nga PDK-ja dhe grupe të tjera kanë amplifikuar lajme të rrejshme për persona të caktuar, përfshirë edhe mua. Lufta speciale që është duke u bërë ndaj zonjës Donika Gërvalla nuk duhet të na habisë fare, sepse kemi një frikë të jashtëzakonshme nga këta që janë të ndërtuar mbi krim dhe korrupsion. Tani mund të tentojnë t’i mbijetojnë ose të shfokusojnë procese përbrenda duke krijuar tensione dhe zhurmë të jashtëzakonshme”.
“Këshilla ime miqësore është se realiteti është ndryshe, populli e ka parë nevojën dhe domosdoshmërinë për ndryshim. Më mirë do të ishte të shkojmë para sesa të bëjmë zhurmë, e cila realisht mendoj se edhe më tutje është duke e vendosur në hije të keqe. Nuk ka asnjë gjë që mund të ia heq patriotizmin Donika Gërvallës dhe babës së saj. Nuk mund ta shpallë Abelard Tahiri, Donika Gërvallën tradhtare. Ideja është që të krijohet një zhurmë e pafundme për ta shfokusuar qytetarin dhe procesin, si dhe për të shpenzuar energji Qeveria dhe Kuvendi me diskutime të kota”.
Abazi ka deklaruar se Hashim Thaçi, ish-presidenti i Kosovës, e ka ndërtuar vet Specialen në të cilën gjendet atje me idenë e qartë se kjo gjykatë do të ndjek individë të caktuar, njofton Klan Kosova.
“Nismëtar i luftës është Adem Jashari, krijues i celulave të para të UÇK-së është Adem Jashari dhe njerëzit që nuk jetojnë më. Kështu që, nuk duhet atribuar çështjet e luftës njerëzve dhe emrave të veçantë. Por, mbi të gjitha unë besoj mbi drejtësinë, para së cilës duhet të jemi të gjithë të barabartë. Gjykatën Speciale e ka ndërtuar vet Z. Hashim Thaçi dhe sot gjendet atje me idenë e qartë, se ajo Gjykatë do të ndjek individ të caktuar dhe se emri i tij ka qenë emri kryesor i përfolur gjatë atij procesi”.
“Është e dhimbshme që të mos lejohen institucionet e Kosovës të fokusohen në zhvillim, që do ta bënin më të fortë Kosovën për ta mbrojtur secilin atje edhe luftën e UÇK-së. Ashtu siç nuk ka njeri brenda institucioneve shqiptare që nuk do ta mbrojë me shumë ngulm luftën e UÇK-së. Këto janë hedhje edhe tentim të zhvendosjes së debatit për t’i fshehur dëmet dhe gabimet e bëra në të kaluarën”, ka thënë Abazi. KlanKosova.