Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ditën e nesërme do të vizitojë Kosovën. Gjatë qëndrimit të tij, kryeministri Abazoviq do të zhvillojë takime me liderë të institucioneve shtetërore, kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanin dhe me zyrtarë të tjerë shtetëror.
Në takimin ndërmjet dy kryeministrave, Dritan Abazoviq me homologun e tij kosovar Albin Kurti do të nënshkruajnë marrëveshjen bilaterale për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.
Kryeministri i Malit të Zi, gjithashtu do të takohet edhe me kryetarin e komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, nga i cili do të pranojë Çelësin e Prishtinës.
Ndërsa në Aleancën Kosovare të Bizneseve, kryeministri Abazoviq do të nënshkruaj memorandum bashkëpunimi me drejtuesin e kësaj organizate, Agim Shahini. Në takim kryeministrit do t’i ndahet një mirënjohje për nxitjen e investimeve kosovare në Mal të Zi.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, kryeministri Abazoviq do ta vizitojë edhe kolegjin “Universum”, ku do të promovohet libri i tij “Kritika e Etikës Globale”. Në një ceremoni të ndarë, drejtuesit e kolegjit do t’i ndajnë Abazoviq doktoratë nderi.
Në kuadër të ditës së parë të vizitës në Republikën e Kosovës, Abazoviq do të zhvillojë takime me drejtues të partive politike parlamentare. Ai do të takohet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kryeministri i Malit të Zi do të takoj poashtu dy ish-presidentët e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.
Gjatë ditës së dytë të vizitës në Kosovë, kryeministri Abazoviq do të takojë zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, grupin multietnik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe ministrat nga komunitetet jo shumicë.
Kryeministri Abazoviq do të takohet me Gjeneralin e KFOR-it, Michelle Rastuccia dhe do vizitojë galerinë Kombëtare të Kosovës i shoqëruar nga Ministri i Kultures, Sportit dhe Rinisë, z. Hajrulla Çeku, dhe drejtoreshen e Galerisë Kombëtare, Alisa Gojani.
Kryeministri Abazoviq dëshiron të theksoj rolin e Maestros Gjelosh Gjokaj dhe kompozitorit Regjo Mulliqi në raportet ndërkulturore mes dy vendeve.
Abazoviq gjatë vizitës së punës në Kosovë do ta vizitoj Pejën, ku do të takohet me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri dhe do ta shoh nga afër zbatimin e projekti të IPA-s, i cili po realizohet ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës.
Abazoviq do të vizitoj Rezidencën Historike të dr. Ibrahim Rugovës dhe do bëj homazh te varri i tij në Prishtinë, si dhe do bëj homazhe te varri i profesorit universitar dhe poetit nga Ulqini Basri Çapriqit.
Abazoviq gjatë qëndrimit të tij do vizitoj objekte fetare e kulturore, përfshi Xhaminë e Çarshisë, Katedralen Nënë Tereza dhe Patriarkanën e Pejës i shoqëruar nga kryetari i komunës së Pejës Gazmend Muhaxhiri.