Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka folur për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb dhe valutave tjera për pagesa në vend.
Abbott tha se shteti që ai e përfaqëson e respekton integritetin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe të drejtën e këtij institucioni për të nxjerrë rregullore të reja, por tha se kanë problem me mënyrën e zbatimit të kësaj rregullore.
“Banka Qendrore e Kosovës është institucion i pavarur, ne e respektojmë plotësisht këtë, e respektojmë plotësisht integritetin e saj dhe plotësisht e respektojmë faktin që Banka Qendrore të paraqesë rregullore për të sjellë transparencë më të madhe në sistemin e financave, për të luftuar pastrimin e parave dhe falsifikimet, të gjithë i kemi kontrolluar 2 eurot kohëve të fundit, çështja nuk ka të bëjë me këtë, çështja ka të bëjë me zbatimin e rregullores dhe mënyrën se si kjo ka ndodhur, ka ndodhur shumë shpejtë dhe natyrisht kjo prekë një pjesë të popullatës në Kosovë, ne jemi shumë të fokusuar te dinari, se si kjo ndikon në pagesat që vijnë nga Serbia për individët, pagesa sociale, pensionet, por edhe për institucionet, qofshin ato në shëndetësi, apo arsim”, tha Abbott në Rubikon të Klan Kosovës.
Abbott tha se për këtë rregullore nuk janë dhënë sqarimet e duhura për personat të cilët preken, derisa shtoi se rregullorja nuk ka të bëjë me shtirje të sovranitetit, por me qeverisje të mirë.
“Kjo nuk ka të bëjë me sovranitetin, ka të bëjë me qeverisjen e mirë, ka të bëjë me mënyrën se si i trajtoni komunitetet në Kosovë. Për të bërë ndryshime që i nevojiten rregullores njerëzit duhet të kuptojnë se çfarë mund të bëjnë, çfarë mund të ndodh, duhet të kuptojnë nëse nuk kanë xhirollogari në euro si mund t’i marrin ato, duhet të kuptojnë kur do të jenë paratë e tyre në dispozicion, kjo është një pyetje e madhe që ka të bëjë me sistemin e arsimit dhe të edukimit që kanë qenë të varura në pagesa nga Serbia, askush nuk e ka sfiduar këtë si çështje, Qeveria e Kosovës nuk propozon që të ndërhyj dhe të paguaj për këto institucione, ende pret që Serbia t’i kryej këto pagesa”, tha Abbott.
Ambasadori britanik shtoi se rregullorja e BQK-së është veprim i njëanshëm i Kosovës dhe si i tillë është i dëmshëm. Ai shtoi se çështjet të cilat i adreson kjo rregullore do të ishte mirë të menaxhoheshin përmes procesit të dialogut për normalizim.
“Kjo rregullore ka ndikim në disa çështje, çështje që ne dhe të tjerët do të preferonim t’i shihnim duke u menaxhuar përmes procesit të normalizimit që është dialogu, por gjithashtu jemi të brengosur që veprimet e njëanshme që ndikojnë në një element të veçantë të komuniteteve brenda Kosovës janë vërtetë të dëmshme nëse nuk janë të përgatitura, pra është për një periudhë transitore, dhe nuk po flas për vite, po flas për muaj. Nëse çështje të tilla do të bëheshin në Britani automatikisht do të bëhej një vlerësim për ndikimin, menjëherë do të merrej në konsideratë se çfarë ndikimi do të kishte në komunitete, pra e merr në konsideratë se si preken njerëzit nga ai vendim. Kam frikë se kjo nuk ka ndodhur këtu, prandaj po kërkojmë një periudhë shumë më të gjatë transitore” tha Abbott.