Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.
Abdixhiku tha se e njoftoi ambasadorin mbi përgatitjet e partisë së tij për zgjedhjet e 9 shkurtit, programin politik ‘Rruga e Re’ dhe fokusin elektoral në politika zhvillimore e projekte “që kanë rëndësi e peshë njëmend për qytetarët në vend”.
Kandidati për kryeministër tha se LDK po hyn në zgjedhje me ekip të ri, program të ri dhe ide të reja.
“Mbi të gjitha me entuziazëm të unitetit e me shpresë për të ardhmen e vendit”, shkroi ai.
“Ambasadorit po ashtu i theksova rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për stabilitetin dhe zhvillimin demokratik të Kosovës; në veçanti në përballje me kundërshtarët e shtetësisë sonë. Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe mbetet aleat i ngushtë i yni në këtë drejtim. Për këtë, ne dhe populli i Kosovës mbesin mirënjohës përherë”, përfundoi Abdixhiku. /Gazeta Enigma