Abdixhiku ende me shpresa për Qeveri Uniteti, do paraqes një agjendë me 15 pika

Abdixhiku ende me shpresa për Qeveri Uniteti, do paraqes një agjendë me 15 pika

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se tentativa e e nesërme e 28-ta me radhë për të konstituar legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës do të përfundojë pa epilog – veç si prolog i tjetrës.

Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se vazhdon ta përsëris thirrjen e tij drejt liderëve të VV-së, PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s që t’i kthehen propozimit të tij për një Qeveri të unitetit.

“Vazhdoj të besoj se mund të ulemi, të flasim dhe të pajtohemi për një zgjidhje të përbashkët. Kjo krizë mund të na shërbejë si mundësi. Nëse e trajtojmë me guxim dhe me përgjegjësi. Natyrisht se ka zëra mjaft që na ushqejnë që të rrimë larg, por sot para vetës kjo krizë na thërret veç për përgjegjësi. Asgjë më pak”, tha Abdixhiku.

Ndër tjera, i pari i LDK-së tha se këtë javë do të paraqes një agjendë me 15 pika, si pjesë e propozimit të tij për Qeverinë gjithpërfshirëse.

“Prandaj, gjatë kësaj jave, do të shkojë dhe një hap tutje. Pas finalizimit të konsultimeve të brendshme, do të dal me një Agjendë 15 pikëshe – një platformë konkrete bashkëpunimi për Qeverinë e Unitetit, të cilën do t’ua ofroj të gjitha partive politike, pa përjashtim”.

“Shpresoj që të kuptohet qartë: uniteti sot nuk është luks – është domosdoshmëri. Po, Kosovës i duhet një opozitë. Po, Kosovës i duhet një balanc demokratik. Por para dyjave, Kosovës i duhet një pozitë. Një qeveri legjitime, një Kuvend funksional, një shtet që punon – tek më pas një opozitë që kritikon”, u shpreh Abdixhiku.

Abdixhiku tha se fton edhe një herë zërat me peshë, mendjet e urta, të gjithë ata që e ndjejnë peshën e kësaj kohe – të bashkohen me propozimin që bëri ai. 

Related Articles