Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit nga eksponentë të Vetëvendosjes, raporton Gazeta “Enigma”.
Abdixhiku ka theksuar se LDK-ja nuk ka kohë të merret me këto “sugjerime”, pasi është e angazhuar në nëntë garat e ardhshme zgjedhore, ndërsa ka paralajmëruar se të dielën partia do të dalë fituese.
“Kur do ta kuptojnë? ‘Kundërshtimet e juaja s’na lënë përshtypje; kemi parë se çfarë duartrokisni!’ I falënderojmë të gjithë eksponentët e Vetëvendosjes dhe kundërshtarët tanë ideologjikë, që këto ditë po na tregojnë se si duhet të udhëhiqet LDK-ja, çka dëshiron elektorati ynë dhe si duhet të jetë e ardhmja jonë si parti. Jemi të bindur se e kanë për “të mirën tonë””, ka shkruar ai.
“Por të na mirëkuptojnë e falin për mungesën e përgjigjeve ndaj brengave të tyre. Jemi bukur të zënë. Sepse momentalisht i kemi 9 gara për t’i bërë. Të dielen duam veç fitore; dhe na besoni, do të fitojmë!”, ka shkruar Abdixhiku.
