Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se të larguarit e djeshëm po rikthehen masavokisht në shtëpinë e tyre të dikurshme e të përhershëm dhe bashkërisht po e rikthejnë këtë parti në vendin e saj origjinal.
Ai foli edhe për LDK-në, ku tha se po i hapin derën të rinjve që ëndrrën e tyre politike ta ushtrojnë në këtë parti.
“Politika është për të guximshmit dhe për të durueshmit, për punëtorët dhe të drejtit dhe ne i kemi të gjitha, guximin dhe durimin, të drejtën dhe punën, mbi të gjitha kemi njëri tjetrin dhe këtë lidhje se lëshojmë për asgjë. Prandaj, sot të larguarit e djeshëm po rikthehen masavokisht në shtëpinë e tyre të dikurshme e të përhershëm. Në vendin e vetëm origjinal për ta e për secilin tjetër që e donë këtë vend e që donë të punojë për këtë vend. Sot po i dëgjojmë ata e të tjerët, e bashkërisht po e rikthejmë LDK-në në vendin e saj origjinal. LDK po kthehet e sigurt, prandaj në zgjedhjet e tetorit, Lipjanin si kampion që është, duhet ta përfundoni garën me të parën sepse kemi nevojë për ju gjithandej nëpër Kosovë. I dashur Imri je shembull për ne”, tha ai.
Abdixhiku tha se shtigjet e ecjes në Lipjan është model që secili qytetarë në Kosovë duhet ta ketë, si dhe shembull që secila komunë duhet ta arrijë.
Ai tha se kryetari Imri Ahmeti është bërë shembull për të gjithë.
“Qyteti antik, Ulpiana e dikurshme e Lipjani i sotëm është transformuar në një qytet shembull për secilin prej nesh. Prandaj sot të gjithë ndihemi mirë, e si të mos ndihemi mirë kur një shteg si ky shoqërohet me gjelbërim gjithandej, me një shesh qyteti që i jep jetë e shpirt për çdo mbrëmje, në verë e në dimër pa dallim, me parqe atraktive, ndriçime rrugësh e rrugicash, me stadium qyteti, me rrugë të zgjeruara e me projekte transformuese që jetën këtu e bëjnë fare të lehtë… ku mërgimtarët ndihen të mirëseardhur siç thonë ata Zvicër andej, Zvicër këndej. Gjithë ky transformim është si falënderim për secilin prej jush, është puna juaj e përditshme, e ndershme dhe e sinqertë që ka sjellë këtë ndryshim , por mbi të gjitha mban për falënderim kryetarin tuajin e tonin, mikun tim e tuajin, Imri Ahmeti“, tha ai.
Sipas tij, puna e Ahmetit vlerësohet sot nga çdo raport vendor e ndërkombëtar, si puna më e mirë në Kosovë.
Kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti tha se Lipjani është qyteti më i mirë i Kosovës. Sipas tij, në shtegu i ecjes para disa viteve ka qenë deponi ilegale e mbeturinave dhe kjo është shtytje që investimet do të vazhdojnë për të zhvilluar një jetë më të mirë për qytetarët e këtij qyteti.
Ai u zotua se me përkushtim do të vazhdojë ta ndërtojë gjithë infrastrukturën për ta zhvilluar edhe më shumë Lipjanin. /kp/Gazeta Enigma/