Abdixhiku pas takimit me sindikalistët: Ndalja e pagave është joligjore, s’kemi nevojë për konflikte

Abdixhiku pas takimit me sindikalistët: Ndalja e pagave është joligjore, s’kemi nevojë për konflikte

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se ndalja e pagave për punëtorët që janë në grevë është e papranueshme dhe joligjore.

Ai pas takimit me Kryetarin e Këshillit Grevist të BSPK, Rrahman Jasharaj dhe nënkryetarin i Këshillit Grevist, Ali Gashi, sa i përket mosekzekutimi të pagave për punëtorët e sektorit publik, shtoi se Kosova ka nevojë për qetësi jo për konflikte.

Sipas tij, është shqetësuese situata e krijuar pas grevës së shpallur në të gjitha nivelet në arsim.

“Kam dëgjuar kërkesat e tyre dhe kam shprehur shqetësimin tonë mbi këtë grevë dhe konsiderojmë se duhet të ketë një dialog ndërmjet Qeverisë dhe BSPK është imperiativ, pra është bazë e funksionimit shoqëror të Kosovës dhe kemi nevojë për dialog që fëmijët tanë të kthehen në shkollë”, tha Abdixhiku.

Ky takim vjen pasi qeveria ua ka bllokuar pagat mësimdhënësve dhe shërbyesve civilë nëpër komuna, që janë në grevë nga 25 gushti.

Pas Abdixhikut, ata pritet të takohen edhe me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi.

Për shkak të mosekzekutimit të pagave, më 1 shtator, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Related Articles