Abdixhiku-qytetarëve: Vaksinohuni e kujdesuni vetë sepse Qeveria ka dezertuar

Abdixhiku-qytetarëve: Vaksinohuni e kujdesuni vetë sepse Qeveria ka dezertuar

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas përkeqësimit të situatës pandemike në vend. Abdixhiku ka thënë se Qeveria Kurti është qeveria më dembele në botë, pasi që në kulmin e pandemisë janë mbyllur qendrat e vaksinimit gjatë të shtunës dhe të dielës.

“Plot 1128 raste të reja në ditë. Po aq, nga një mijë secilën ditë – tre mijë për tre ditë – numra rekord gjatë gjtihë pandemisë. Gjashtë kosovarë të vdekur në kaq pak kohë. Do t’iu thoja vaksinohuni, siç dhe ju themi çdo ditë e për ditë, por ku të vaksinoheni sot kur Qeveria më dembele në Evropë ka vendosur t’i mbyllë qendrat e vaksinimit në kulmin rekord të pandemisë. Ku t’i merrni vaksinat sot kur shteti është, me vetëdije, në pushim vikendi?”, ka shkruar Abdixhiku.

“Qendrat janë të pamjaftueshme edhe po të hapeshin në plotni. As tre turne s’bëjnë punë në kulm të shpërthimit masiv. Në vend të një administrimi kolektiv, gjithënacional, që përfundon në pak ditë, Qeveria jonë zgjedhë pushim. Mbesim të fundit në Evropë në administrim; të parët për infektime për kokë banori në ditë. Një vend kaq i vogël, vazhdon t’i ketë 80% e popullsisë të pavaksinuar”, ka shtuar tutje.

Në fund, Abdixhiku thotë se si rezultat i këtij menaxhimi mbyllja e sërishme vjen si e pashmangshme.

“Mbyllja e sërishme na vjen si e pashmangshme. Këta kanë dezertuar kujdesin për pandeminë. S’merren me të, sikurse me asgjë. Prandaj kujdesuni për vete! Vaksinohuni! – kurdo që vendosin këta të punojnë”, përfundon Abdixhiku.

Related Articles