Roman Abramovich ka thënë se koha si pronar i Chelseat ka qenë “nder jetësor” dhe beson se e ka lënë klubin në duar të sigurta.
Pasues i Abramovichit do të jetë konsorciumi i udhëhequr nga Todd Boehly.
“Janë bërë afër tre muaj qëkur njoftova për shitjen e Chelseat. Gjatë kësaj kohe, ekipi ka punuar fort për ta gjetur personin e duhur për Chelsean, i cili do ta udhëheqë skuadrën drejt kaptinës së re. Pronësia e këtij klubi vjen me përgjegjësi të lartë. Qëkur erdha te Chelsea afër 20-të vjet më parë, kam qenë dëshmitar se çfarë mund të arrijë kjo skuadër. Qëllimi im ka qenë të sigurohem se pronari i ardhshëm e ka synimin që të arrijë sukses me skuadrën e meshkujve dhe të femrave, si dhe ta ketë dëshirën e të vazhdojë t’i zhvillojë aspektet kyçe të klubit, si akademinë dhe Fonadcionin e Chelseat. Jam i lumtur që ky kërkim ka gjetur fund të suksesshëm. Përderisa po e dorëzoj skuadrën te pronarët e rinj, do të doja t’u uroj suksesin më të madh, brenda dhe jashtë fushës. Ka qenë nder jetësor të jem pjesë e këtij klubi. Dua t’i falënderoj anëtarët e kaluar të klubit dhe lojtarët aktual, stafin, si dhe tifozët për këto vite të jashtëzakonshme. Jam krenar që si rezultat i suksesit tonë të përbashkët, miliona njerëz tani përfitojnë nga fondacioni bamirës që është krijuar. Kjo është një trashëgimi që e kemi krijuar së bashku. Faleminderit”, ka shkruar Abramovich në letrën përshëndetëse.