I pari i futbollit kosovar po e vlerëson ndeshjen me Zvicrën si të veçantë, për faktin se luajmë me një shtet mik. Madje, këtë përballje e cilëson si ndeshje mes miqsh, teksa ende sheh shpresa për kualifikim në Evropian. “Luajmë me një shtet mik, që i ka ndihmuar Kosovës dhe na ka ndihmuar si popull në çdo kohë. Çdo kosovar që ka shkuar atje e ka gjetur veten dhe ka pasur rritje ekonomike familjare. Zvcira na ka përkrahur edhe pas luftës për t’i organizuar si shtet. Presim të jetë një ndeshje mes miqsh, pasi kemi edhe shumë futbollistë te Zvicra që i kanë rrënjët këtu”, ka thënë Ademi.
Ai shpreson edhe në rezultat pozitiv, ngase ekipi është i kompletuar. “Për herë të parë të gjithë ekipin e kemi pa asnjë lëndim dhe është një atmosferë dhe dëshirë e madhe tek futbollistët për ta treguar veten dhe fuqinë e tyre pikërisht me ekipet e mëdha si kjo e Zvicrës”, ka shtuar i pari i futbollit kosovar.
Ademi e ka pranuar se në këtë cikël kualifikues nuk kanë pritur të jenë në situatën e tanishme, por ende ka shpresa se djemtë dardanë mund të tregojnë kualitetin e tyre.
“Në këtë kompeticion nuk kemi pritur të jemi në këtë situatë sipas analizave të të gjithëve dhe kualitetit që e kemi, pasi në ekipin tonë kemi pesë kampionë në ligat evropiane. Është fakt që kemi ngecur, por kanë ndikuar shumë faktorë që të mos kemi rezultatin e merituar. Sidoqoftë, ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme në ndeshjet e mbetura. Futbollistët kanë besim, por edhe ne tek ata. Tani është më e vështirë, por nuk është e pamundshme. Nuk dua të them se ne do të jemi të kualifikuar sepse tashmë jemi një hap më mbrapa por gjithsesi në futboll mund të ndodhë gjithçka. Siç ndodhi që pa e pritur askush të humbim nga Bjellorusia, mund të ndodhë edhe të fitojmë ndaj Zvicrës. Unë besoj shumë tek ky grup i futbollistëve, në përkushtimin dhe kualitetin e tyre. Nëse ata angazhohen 100 përqind besoj se mund t’i fitojmë të gjitha ndeshjet e radhës. Do Zoti të mos kenë lëndime”, ka thënë Ademi.
Sipas tij në futboll sot nuk ka ekipe të mëdha dhe të vogla, sepse futbolli ka evoluar shumë.
“Edhe shtetet e vogla po kanë lojtarë në klube të mëdha, prandaj edhe po ndodhin, nëse mund t’i quaj, befasitë”, ka shtuar ai.