Partitë politike kanë pasur afat për të aplikuar për certifikim dhe dorëzuar listat e kandidatëve nga data 1 shtator, deri sot në orën 16:00, duke përfshirë kështu një periudhë prej 102 ditësh.
Megjithatë, disa minuta para përfundimit të këtij afati ligjor, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të caktuar nga partitë politike kanë vendosur të shtyjnë afatin edhe për 8 orë të tjera, shkruan Gazeta Enigma.
Lajmin për Gazetën Enigma e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Gazetën Enigma.
“Ju njoftoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zgjatur afatin për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, deri në orën 23:59 të ditës së sotme, e mërkurë, 11 dhjetor 2024. Këtë vendim, KQZ e mori gjatë mbledhjes së sotme duke pasur në konsideratë se për herë të parë ky proces realizohet përmes platformës online http://certifikimi.kqz-ks.org dhe disa nga subjektet politike kanë pasur vështiësi në përdorimin e platformës”, thuhet në përgjigjen e Elezit./GazetaEnigma/