Afrohen zgjedhjet lokale – Rriten premtimet “astronomike” të kandidatëve për kryetar të Komunave

Afrohen zgjedhjet lokale – Rriten premtimet “astronomike” të kandidatëve për kryetar të Komunave

Kosovën e ndajnë pak ditë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, të cilat janë caktuar për 12 tetor. Me 206 kandidatë në tërësi për kryetar komunash, premtimet e ofertat veç se kanë shkuar duke u rritur gjatë fushatës elektorale, që përfundon më 12 tetor, në 06:59 – një minutë para se të hapen kutitë e votimit, shkruan Gazeta Enigma.

Edhe pse zgjedhjet komunale dinë të sjellin rezultatet të papritura në çdo rajon, “befasitë” kryesore pritet të jenë në Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Prizren, Drenas e Deçan.

Fshat olimik, tram në kryeqytet, vende pune e mësim tërëditor janë vetëm disa nga premtimet e kandidatëve.

Rama: Fshati Olimpik, stadiumi, pishina olimpike e shkollat e futbollit

Kandidati i LDK-së dhe kryetari i tanishëm i Prishtinës, Përparim Rama, ka zbuluar detaje të reja rreth përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare, duke thënë se në mandatin e tij të dytë, projektet si fshati Olimpik, stadiumi, pishina olimpike e shkollat e futbollit do të realizohen.

Rama po ashtu ka premtuar se do të vijnë edhe 91 autobusë për trafikun urban.

“Edhe 91 autobusë vijnë deri në fund të vitit, 121 autobusë të cilët vetëm se janë pjesë e këtij procesi. Në janar të gjitha fshatrat do të kenë autobusët në të gjitha pjesët e kryeqytetit”.

Ai ka përmendur edhe mësimin tërëditor, si masë në zhbllokimin e trafikut.

Rama: Trami në Prishtinë drejt realitetit

Rama po ashtu ka premtuar se në qershor të vitit 2026, Trami do të jetë pjesë e transportit në kryeqytet.

“Në qershor të 2026-tës Trami do të jetë këtu!”, tha Rama.

5 zgjidhjet e Uran Ismailit për Prishtinën funksionale

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, prezantoi pesë zgjidhjet e tij që synojnë ta kthejnë Prishtinën në një qytet funksional: zhbllokimin e trafikut brenda 18 muajsh, rrugë të sigurta 24/7, lagje të pastra 24/7, ndalimin e lejeve të reja ndërtimore për 6 muajt e parë dhe Prishtinën e së ardhmes me fokus në teknologji sport dhe kulturë.

Hajrulla Çeku: Kodrën e Trimave – do ta bëjmë Lagje Model në Prishtinë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka shpalosur një propozim të ri për transformimin e lagjes Kodra e Trimave, duke premtuar se ajo do të shndërrohet në një model shembullor për kryeqytetin.

Në një takim me banorët, Çeku tha se gjendja aktuale e lagjes lejon vetëm ndërhyrje të vogla, të cilat sipas tij nuk përmirësojnë dukshëm cilësinë e jetës së qytetarëve.

“Jam i sigurt se nuk do të jetë proces i lehtë, por kur jemi bashkë mund ta bëjmë. Do të kemi planin më të mirë për ndërtimet e reja, për kanalizimin, ngrohtoren, ujin e pijes, rrugët e rrugicat, parqet, çerdhet, shkollat dhe shëndetësinë. Kodra e Trimave e meriton një standard të lartë të jetës”, tha Çeku.

Ai e cilësoi këtë projekt si një nga më ambiciozët që është propozuar ndonjëherë për Prishtinën pas luftës, duke e parë si plan transformues dhe model urbanizimi për qytetin.

Çeku kërkoi mbështetjen e banorëve për këtë nismë, duke u zotuar se zgjidhja e tij do të jetë një transformim rrënjësor i lagjes.

Kandidati i Alternativës, Beqiri: Prishtinës i duhen 70 hektarë hapësira të gjelbëruara për standardin e OBSH-së

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga partia Alternativa, Merkur Beqiri, ka theksuar se kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, përballet me mungesë të hapësirave të gjelbëruara, duke nënvizuar se qytetit i duhen të paktën 70 hektarë të reja për të arritur minimumin e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Beqiri gjithashtu ka theksuar se puna e përbashkët e Alternativës është garanci për komuna të zhvilluara, transparente dhe të pastra, ku qytetarët kanë qasje në shërbime të shpejta dhe cilësore.

Bekë Berisha ironizon me premtimet zgjedhore, premton linjën e re të aeroplanëve nga Bregu i Diellit në Fushë Kosovë

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga AAK, Bekë Berisha, ka ironizuar me disa premtime që po bëhen në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 12 tetorit.

Berisha ka publikuar një video ku premton me humor linjën e re të aeroplanëve që lidh lagjen Bregu i Diellit me Fushë Kosovën.

“Linja e re e aeroplanëve: Bregu i Diellit – Fushë Kosovë! Rezervo biletën tënde me zbritje,” thuhet në postimin e tij.

Më tej, ai shton se edhe ai di të bëjë humor, por Prishtinës i duhen ujë, rrugë dhe zhvillim, dhe se këto duhet të realizohen së bashku.

Rrahim Tërnava paralajmëroi ndërtimin e sheshit të ri me nënkalim në Fushë Kosovë

Kandidati i PDK-së për kryetar, Rrahim Tërnava ka prezantuar projektin madhor për ndërtimin e një sheshi modern përgjatë rrugës “Nëna Terezë”, duke filluar nga Kastrati e deri te rrethi, i cili do të përfshijë edhe një nënkalim për vetura.

Tërnava theksoi se ky projekt sfidues dhe inovativ do të sjellë përfitime të shumëfishta për qytetin dhe qytetarët, përfshirë: Krijimin e një qendre funksionale dhe moderne që bashkon qytetin, lehtësimin e qarkullimit dhe reduktimin e trafikut të ngarkuar, transformimin e Fushë Kosovës në një qytet evropian në standarde të zhvillimit urban, dhe përmirësime të ndjeshme në cilësinë e jetës së banorëve.

“Ky është vizioni ynë për një Fushë Kosovë #MaMIRË – një qytet modern, i zhvilluar dhe i gjallë për të gjithë”, deklaroi Tërnava në një postim publik në rrjetet sociale.

Shaqir Totaj prezantoi master-planin për 2 mijë vendparkingjet e reja në Prizren

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se ka synim të krijojë rreth 2 mijë vendparkingje të reja në katër lokacione strategjike.

“Prizreni është një qytet që pret mijëra vizitorë çdo ditë, sidomos gjatë fundjavave dhe sezonit turistik. Kjo ka krijuar nevojën për një sistem të ri dhe të qëndrueshëm parkimi. Prandaj, kemi nisur një proces serioz për ta adresuar këtë problem në mënyrë afatgjatë” – deklaroi Totaj.

Ai theksoi se këto parkingje do të jenë pjesë e konceptit të Prizrenit modern, që synon ta balancojë zhvillimin urban me nevojat e qytetarëve dhe të ekonomisë lokale.

“Do të ndërtojmë parkingje funksionale, të menaxhuara me standarde moderne, që jo vetëm do ta lehtësojnë qarkullimin, por edhe do ta përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve. Kjo është pjesë e vizionit tonë për Prizrenin e transformuar” – shtoi ai.

Shehu premton sheshin “Edmond Hoxha” me investim 5 milionë euro në Junik

Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka paralajmëruar një projekt të madh – ndërtimin e sheshit “Edmond Hoxha” në qendër të qytetit.

Në një komunikim me qytetarët, Shehu tha se më 12 tetor Juniku do të festojë fitoren, ndërsa një ditë më pas do të nisë puna e palodhshme për zhvillimin e komunës.

“Një nga projektet e para dhe kryesore që do të realizojmë është ndërtimi i sheshit ‘Edmond Hoxha’ në qendër të Junikut me vlerë të investimit rreth 5 milionë euro. Projektin e detajuar e kemi të gatshëm dhe tanimë kemi siguruar edhe mjetet e nevojshme financiare për të realizuar këtë projekt”, u shpreh Shehu.

Hyseni: Qendër moderne për të moshuarit në Gjilan

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni, u ka premtuar pensionistëve një Qendër për të Moshuar, gjatë një takimi me disa prej tyre.

“Me shumë kënaqësi u takova me pensionistët tanë – ata që dikur dhanë gjithçka për shoqërinë. Për ta po e ndërtojmë Qendrën për të Moshuar, një hapësirë moderne me kujdes shëndetësor dhe aktivitete të përditshme,” tha Hyseni.

Ardian Shala për Suharekën: Taksa zero, 400 vende pune dhe qendra inovative për të rinjtë

Ardian Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka premtuar një mandat me administratë transparente, zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe shërbime më të mira për qytetarët.

Ai premtoi hapjen e 400 vendeve të reja të punës për të rinjt në Suharekë.

Abrashi: 20 milionë euro investim për ujë pa ndërprerje

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Prizren, Artan Abrashi në programin e tij rëndësi të veçantë i ka kushtuar sigurimit të ujit të pijshëm pa ndërprerje.

Në lidhje me këtë zotim ai ka premtuar që brenda mandatit 4 vjeçar në bashkëpunim me Qeverinë do të bëjë investim prej 20 milionë eurosh në mënyrë që Prizreni më në fund të gjejë zgjidhje për ujin e pijshëm pa ndërprerje.

Por sa iu beson populli premtimeve?

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, thotë për Gazetën Enigma se duke u bazuar në premtimet e mosrealizimet në mandatet e kaluara të kryetarëve komunalë, populli nuk do bie pre e premtimeve astronomike.

“Duke u bazuar në përvojat e kaluara të nivelit lokal, premtimet janë dhënë të shumta. Sipas disa analizave që janë bërë dhe raportet, ka rezultuar se një pjesë e madhe e premtimeve të dhëna nga kryetarët e komunave, nuk janë përmbushur ose janë përmbushur pjesërisht. Pra, gati gjysma nuk janë përmbushur, e të tjerat janë filluar ose nuk janë filluar fare. Shumë pak është bërë, në relacion me atë që është premtuar. Edhe tani, për t’i joshur votuesit, shumë ka premtime, shumë më pak do ketë realizim të atyre premtimeve në praktikë, pasi të vijnë në pozitë”, tha Baraliu.

Shkaku i krizës në nivel qendror – pjesëmarrje e ulët në zgjedhje lokale?

I pyetur nga Gazeta Enigma nëse kriza në nivelin qendror do të ndikojë në ecurinë e zgjedhjeve lokale, Baraliu pohoi një gjë të tillë.

“Do të ketë abstenim. Do të ketë pjesëmarrje të ulët në votime. Edhe pjesëmarrja e mbështetësve në takime është shumë e ulët. Pra nuk ka tipare masive. Kjo tregon se qytetarët nuk janë të interesuar, janë të zhgënjyer, kanë humbur aktivizimin e tyre politik dhe qytetar. Nuk shohim më as militantizëm, siç kemi parë më parë. Kjo është një llogari e dëmshme, si pasojë e sjelljes së papërgjegjshme të deputetëve dhe liderëve të partive. Kjo do të reflektohet negativisht edhe në zgjedhjet lokale, edhe në ato nacionale nëse do ketë të parakohshme”, deklaroi Baraliu.

Ai po ashtu parashikoi se do të ketë ndryshime dhe do të ketë balotazh më shumë sesa që pritet e më pak fitore në raundin e parë.

Shpenzimet në reklama të kandidatëve për komuna

Në 30 ditët e fundit – deri më 5 tetor – në Kosovë janë shpenzuar mbi 60 mijë euro për sponsorizim të reklamave me mesazhe kryesisht politike.

Mbi 14 mijë euro prej këtyre parave të shpenzuara për reklama në Facebook, janë shpenzuar nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, për kryetar të Prishtinës.

Ai ka shpenzuar dukshëm më shumë sesa të gjithë kundërkandidatët e tij.

Përmes të dhënave të publikuara nga Meta kuptohet se sponsorizuesi i dytë më i madh në 30 ditët e fundit është Alban Hyseni, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjilanit.

Edhe shumë kandidatë për komuna të tjera, jashtë kryeqytetit, kanë përdorur këtë opsion për të arritur një numër më të madh të njerëzve me reklamat e tyre.

Reklamimi në Facebook vjen me opsionin për të zgjedhur audienca specifike për secilin publikim – gjininë, moshën, rajonin… Partitë dhe politikanët kanë mundësi të targetojnë audienca të ndryshme.

Por, pothuajse të gjithë kanë preferuar të targetojnë gjithë popullsinë në Kosovë me të drejtë vote, nga 18 vjeç e sipër.

Ajo që ka shfrytëzuar më së shumti opsionet për të targetuar audiencë specifike, është kandidatja e Partisë Socialdemokrate për Prishtinën, Besa Shahini, që ka targetuar prindërit dhe të rriturit deri në moshën 50-vjeçare. /GAZETA ENIGMA

Related Articles