Agim Ademi përkujton ndeshjen e parë mes Flamurtarit dhe Prishtinës të vitit 1991

Agim Ademi përkujton ndeshjen e parë mes Flamurtarit dhe Prishtinës të vitit 1991


Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka përkujtuar ndeshjen e parë në futbollin kosovar, që u zhvillua midis Flamurtarit dhe Prishtinës në 13 shtatorin e vitit 1991, raporton Gazeta Enigma.

“Sot shënojmë një ditë historike për futbollin kosovar, ditën kur u zhvillua ndeshja e parë e mëvetësimit të futbollit tonë, ndërmjet Flamurtarit dhe Prishtinës, organizuar nga Federata e Pavarur e Futbollit të Kosovës, më 13 shtator të vitit 1991. Kjo njihet njëherësh si fillimi i periudhës së pavarësimit të futbollit nga regjimi i atëhershëm serbosllav, me ç‘rast ishte themeluar FFK-ja e pavarur, nën drejtimin e kryetarit Agim Bytyqi”, ka shkruar Ademi.

Ai ka thënë se “Për të realizuar këtë nismë madhore dhe për të vënë në funksion federatën, u krijua një sistem i garave të reja dhe u zhvillua ndeshjen e parë historike”.

Tutje ai theksoi se klubet u organizuan falë shpirtit sportiv dhe mbështetjes së donatorëve të palodhur, ndërsa të gjitha organet e nevojshme u themeluan për funksionimin e ligës”.

“Për shkak të përjashtimit nga objektet sportive nga regjimi serb, u improvizuan fusha të reja futbolli, duke rifilluar garat edhe në kushte të vështira. Sot, me krenari përkujtojmë të gjithë bashkëpunëtorët dhe bashkëkohanikët që kontribuan në ato kohë: lojtarët, trajnerët, drejtuesit dhe donatorët e klubeve, gjyqtarët dhe delegatët. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që ofruan tokat e tyre për t’i kthyer në fusha futbolli. Këto fusha, që sot mund të jenë të ndërtuara apo toka të punuara, ishin dhe do të mbeten një pjesë e shenjtë e historisë së futbollit kosovar”, ka thënë Ademi. “Urime të gjithë atyre që janë ende mesin tonë e përkujtim i përjetshëm për ata që nuk janë më, por që dhanë kontributin e tyre që futbolli kosovar të ketë vazhdimësi edhe në kushte të vështira okupimi!”. / Gazeta Enigma.







Related Articles