Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar ndaj postimit të fundit në rrjete sociale shefit të stafit të kryeministrit, Luan Dalipit.
Postimin e Dalipit në “Facebook” drejtuar mediave, AGK-ja e ka konsideruar “shumë të rrezikshme” dhe “thirrje e hapur për liçim”.
“Shefi i Stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, sot ka sulmuar në mënyrë të paprecedent mediet në Kosovë, duke i lidhur ato me “biznese kriminale”, dhe duke u bërë thirrje atyre që ai i ndanë në “qytetarë të dinjitetshëm”, t’i bojkotojnë ato. AGK-ja konsideron se thirrja e tillë publike e njeriut më të afërt të kryeministrit Kurti në qeveri është shumë e rrezikshme, dhe thirrje e hapur për linçim”, thuhet në reagim.
AGK thotë se gjuha e Dalipit është “në vazhdimësi të sulmeve të individëve të shumicës parlamentare në Kosovë, që rrezikon direkt sigurinë e gazetarëve dhe rëndon klimën e të bërit gazetari në vend”.
Dalipi, me anë të një shkrimi në profilin e tij në Facebook ka sulmuar mediat, konkretisht ato online. Sipas Dalipit mediat ngjasojnë me kompani të kriminalizuara.
Shefi i stafit të Kurtit, Luan Dalipi, thotë se Qeveria Kurti ka ndërprerë kontratat me portalet, pasi sipas tij, kjo metodë është aplikuar nga ish-qeveritarët për të “blerë” heshtjen e portaleve.
“Por, dëshiroj dhe një herë ta përsëris, asnjë cent nuk do ta paguajmë në portale, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur dhe nuk do të paguajmë për heshtjen me paratë e qytetarëve”, shkruan ai ndër të tjera. / Gazeta Enigma.