Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) sot i ka dërguar një letër Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke kërkuar sqarime lidhur me hetimet ndaj gazetarëve Vehbi Kajtazi dhe Lirim Mehmetaj.
“AGK-ja është thellësisht e shqetësuar për këtë situatë dhe kërkon që të sigurohet se këto hetime nuk janë të motivuara politikisht, si dhe që liria e shprehjes dhe e medias të respektohen në tërësi”, thuhet në reagimin e tyre.
AGK po ashtu tha se ka kërkuar një takim me Kryeprokurorin, “për të diskutuar rastin dhe për të mbrojtur të drejtat e gazetarëve”.
“AGK do të vazhdojë të monitorojë nga afër këtë zhvillim, ndërsa fton të gjitha palët e përfshira të mos i shkelin parimet demokratike dhe që në asnjë formë të mos cenohet liria e shprehjes, e gazetarëve, e mediave dhe e drejta për informim”, thuhet në fund të reagimit nga AGK. /Gazeta Enigma