Agon Sinanaj shpallet gazetari i vitit, disa të tjerë shpërblehen

Agon Sinanaj shpallet gazetari i vitit, disa të tjerë shpërblehen

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në partneritet të ngushtë me Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, dhe me mbështetjen e UN Women – Zyra në Kosovë, Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), Pro Peace – Zyra në Kosovë, Ambasadës së Kanadasë në Kroaci dhe Kosovë, Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsi (UNFPA), OJQ-së “Zëri i Komuniteteve Rome, Ashkali dhe Egjiptiane” (VoRAE), dhe OJQ-së “Qendra për Informim dhe Përmirësim Social” (QIPS), ka kënaqësinë të shpallë fituesit e Çmimeve Vjetore të Gazetarisë 2025.

Të gjitha çmimet e sivjetme të Gazetarisë janë vendosur nga një juri profesionale e pavarur, e përbërë nga pesë anëtarë me përvojë të gjatë në media, komunikim dhe më gjerë:

Evliana Berani, Imer Mushkolaj, Naim Sadiku, Arben Hajredinaj dhe Shpend Qamili.

Juria ka shqyrtuar të gjitha 101 aplikimet, ka vlerësuar me pikë sipas kritereve profesionale dhe ka marrë vendimin përfundimtar për secilin prej çmimeve të vitit 2025.

Gazetari i Vitit 2025: Agon Sinanaj, Buletini Ekonomik

Agon Sinanaj u shpall Gazetar i Vitit 2025 për punën e tij në hulumtimin mbi importin e energjisë elektrike për Kosovën gjatë vitit 2025. Gjatë një viti të tërë, hulumtimi i tij ka zbuluar abuzimet e KESCO-s dhe ZRRE-së, përfshirë përzgjedhjen jashtëligjore të një kompanie të vetme (NoaEnergy Trade), manipulime të çmimeve dhe tregtim të energjisë në të zezë. Ky investigim ka nxitur reagime publike dhe hetime nga Prokuroria Speciale dhe ZRRE. Përkushtimi i tij për të sjellë transparencë në një sektor kompleks dhe ndikimi i gjerë në debatet shoqërore e bëjnë atë fitues të merituar të këtij çmimi.

Çmimi iu dorëzua nga Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk.

TV Storja më e mirë: Vlerë Mehmeti, KTV

Storja “6 milionë euro për pajisjet që nuk mbërritën tek të paralizuarit” ekspozoi blerjet me çmime të fryra për pajisje të shëndetit, të cilat nuk arritën të shpërndahen tek personat me aftësi të kufizuara. Artikulli dokumentoi dështimet e menaxhimit institucional dhe mungesën e transparencës në tendera publike, duke shkaktuar reagime të gjera publike dhe hetime nga autoritetet kompetente. Publikimi ngriti vetëdijen për nevojën e kontrollit dhe llogaridhënies në sektorin e shëndetësisë dhe ndikoi në diskutimet politike dhe mediatike për përmirësimin e procedurave të blerjeve publike.

Çmimi iu prezantua nga Nathalie Niedoba, Zëvendësshefe e Misionit dhe Konsulle e Ambasadës së Kanadasë në Kroaci dhe Kosovë.

Ueb Storja më e mirë: Besarta Hoti, Nacionale.com

Storja “Skema e mashtrimit në çerdhen ‘Botanika’ në Prishtinë” dokumentoi keqpërdorimet e fondeve të prindërve nga stafi i çerdhes, duke zbuluar si disa zyrtarë dhe administratorë të çerdhes fituan padrejtësisht nga pagesat e prindërve. Artikulli analizoi gjithashtu ndikimin mbi fëmijët dhe familjet e prekura, duke nxitur reagime të menjëhershme nga komuniteti lokal dhe fillimin e hetimeve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Pas publikimit, kryetari i komunës pezulloi subvencionet dhe nisi procedurat disiplinore ndaj personave përgjegjës.

Çmimi u nda nga Ardian Latifaj, Menaxher i Projektit në UNDP në Kosovë.

Kameramani i Vitit u nda mes:

Dituron Aliu, Betimi për Drejtësi

Dituron Aliu u vlerësua për punën e jashtëzakonshme në terrene jashtëzakonisht sfiduese – nga nëntoka e Trepçës deri në zonat malore të Moknës dhe Sharrit, si dhe në rastet sensitive të korrupsionit dhe ryshfetit. Ai ka dokumentuar me profesionalizëm situata me rrezik, nxehtësi ekstreme, mungesë shikueshmërie, terren të vështirë dhe raste të ndjeshme të drejtësisë, duke sjellë pamje të plota, të sakta dhe të fuqishme vizuale.

Altin Zejnaj, Betimi për Drejtësi

Altin Zejnaj spikat për aftësinë e tij për të realizuar xhirime të fshehta dhe të rrezikshme, përballë kërcënimeve direkte gjatë dokumentimit të veprimtarive të kundërligjshme. Ai ka sjellë pamje kritike për raste të dhunës në familje, inskenime të ndërtuara me ndjeshmëri për viktimat, terrene të vështira klimatike në Prevallë dhe hulumtime të ndërlikuara që çuan edhe në arrestime të zyrtarëve policorë. Puna e tij ka ndikuar drejtpërdrejt në zbardhjen e rasteve.

Korab Basha, Telegrafi.com

Korab Basha është vlerësuar për xhirimet dinamike që sjellin energjinë, emocionin dhe ritmin e futbollit dhe jetës sportive. Ai ka dokumentuar festën historike të titullit të pestë të Shkëndijës, ka sjellë rrëfime njerëzore dhe të ngrohta si kampingu i ndërtuar nga një çift i ri, si dhe ka shoqëruar Trainkos-in për të paraqitur sfidat dhe shpresën e transportit hekurudhor. Përveç xhirimeve, ai ka realizuar edhe montazhin e tre projekteve, duke i dhënë veprës së tij vulë të plotë autoriale.

Çmimi u nda nga Evliana Berani, anëtare e jurisë.

Raportimi për Fuqizimin e Grave: Adelina Ahmeti, Kallxo.com

Storja e saj “Skandal në drejtësi: Gjyqtarja dhe prokurorja në diskutim me të akuzuarin për dhunë në familje” ekspozoi dështimet institucionale dhe paragjykimet ndaj grave viktima të dhunës në familje. Artikulli hulumtoi rastet konkrete të mosveprimit të drejtësisë dhe sfidat me të cilat përballen viktimat kur përpiqen të marrin mbrojtje ligjore. Pas publikimit, u ndërmorën masa disiplinore ndaj personave të përfshirë, duke demonstruar ndikimin e drejtpërdrejtë të gazetarisë investigative për ndryshime institucionale dhe vetëdijen publike mbi të drejtat e grave.

Çmimi iu dorëzua nga Vlora Tuzi Nushi, Shefe e UN Women Kosovë.

Raportimi më i mirë rreth Antigjipsizmit: Besian Beha, Nacionale.com

Reportazhi “Një shqelm kundër racizmit” dokumentoi sulmin me bazë raciste ndaj futbollistit 15-vjeçar Belgin Jashari nga komuniteti ashkali. Artikulli hulumtoi edhe sfidat dhe diskriminimin sistematik që komuniteti ashkali përjeton në Kosovë, duke evidentuar mungesën e mbrojtjes institucionale dhe reagimet e dobëta të institucioneve në raste të ngjashme. Storja ngjalli reagim publik, ndërhyri Policia e Kosovës dhe Federata e Futbollit, duke çuar në ndëshkimin e sulmuesit.

Çmimi u dorëzua nga Alketa Bala, Zyrtare për Marrëdhënie me Publikun në VoRAE.

Raportimi i Sensibilizuar ndaj Konfliktit dhe Ballafaqimi me të Kaluarën, u nda mes kolegëve:

Blendina Veliqi, Betimi për Drejtësi

Storja “Lufta ua mori burrat, por jo forcën për t’iu dalë zot fëmijëve” sjell rrëfimet e grave të luftës, duke ndriçuar dhimbjen, barrën e dyfishtë prindërore dhe traumën e heshtur që ato kanë bartur për dekada. Përmes tregimeve të Besime Rrahmanit dhe Fatime Lahu-Kastratit, artikulli shpalos ndikimin e luftës në jetën e tyre dhe te fëmijët e tyre, si dhe mungesën e mbështetjes institucionale. Storja kontribuon në procesin e drejtësisë tranzicionale duke rikthyer zërin e atyre që rrallë janë dëgjuar.

Sandra Cvetkoviq & Arben Hoti, Radio Evropa e Lirë

Reportazhi “Shtrirja e autoritetit në veri: Për dikë gëzim, për të tjerë sfidë dhe vështirësi”, i thelluar sjell perspektivat e serbëve dhe shqiptarëve në veri të Kosovës në një periudhë tensioni, ndryshimesh institucionale dhe pasigurie. Përmes rrëfimeve si të Dragisha Llakiqeviqit dhe Zahir Mehmetit, artikulli paraqet frikën, sfidat, por edhe shpresat e komuniteteve të ndara për shumë vite. Storja promovon mirëkuptim, depërtim në realitetin kompleks dhe nxit reflektim mbi hapat e nevojshëm për pajtim të qëndrueshëm.

Çmimi u prezantua nga Nehari Sharri, Drejtor i Pro Peace në Kosovë.

Raportimi mbi Punëtorët Migrantë: Afërdita Lukaj, Kanal10

Storja “Pa pasaportë! / Without a passport!” dokumentoi shfrytëzimin e punëtorëve migrantë të punësuar ilegalisht dhe kushtet e rënda të punës në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë mungesën e kontratave, pagesat e vonuara dhe sigurinë e dobët në vendin e punës. Artikulli hulumtoi edhe implikimet ligjore dhe sociale të këtyre praktikave, duke nxjerrë në pah përgjegjësinë e kompanive dhe mungesën e mbikëqyrjes nga autoritetet. Publikimi i tij ngriti debat publik dhe nxitje për veprime institucionale për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve migrantë.

Çmimi iu dorëzua nga David Oberhuber, Drejtor i GIZ Kosovë.

Raportimi mbi të Drejtat e Punëtorëve: Egzon Dahsyla, Kallxo.com,

Hulumtimi “Ndërtimet e rrezikshme” trajtoi vdekjen dhe lëndimet e punëtorëve në ndërtim, duke evidentuar mungesën e masave të sigurta, inspektimet e pakta dhe përgjegjësitë institucionale dhe private që kontribuojnë në kushte të rrezikshme pune. Artikulli shfaqi edhe pasojat sociale dhe ekonomike për familjet e viktimave dhe ngriti debat mbi nevojën për reformë në standardet e sigurisë në vendin e punës. Publikimi i tij nxiti reagime nga autoritetet lokale dhe institucione të tjera për mbikëqyrje më të rreptë dhe masa parandaluese.

Çmimi iu dorëzua nga H.E. Jonas Westerlund, Ambasador i Suedisë në Kosovë.

Raportimi mbi Shëndetin Mendor: Dafina Halili, Kosovo 2.0

Artikulli “Po e ndrydhja veten aq shumë, sikur e kisha fikur të gjithë sistemin nervor” trajtoi shëndetin mendor të personave queer, duke evidentuar pasojat e stigmatizimit, mungesën e mbështetjes profesionale dhe nevojën për një sistem më të ndjeshëm dhe të përfshirë. Storja kombinoi rrëfime personale me analiza të politikave shëndetësore dhe ndikimin e diskriminimit social, duke nxitur një debat publik mbi rëndësinë e mbështetjes psikologjike dhe të drejtave të komunitetit LGBTQ+.

Çmimi iu dorëzua nga H.E. Jonas Westerlund, Ambasador i Suedisë në Kosovë.

Raportimi për Ndërtimin e Paqes dhe Besimit: Doruntina Bylykbashi, TV Dukagjini

Reportazhi “Mes familjes dhe ushtrisë – historitë e fëmijëve amerikanë që shërbejnë me prindërit në Bondsteel” ofron një perspektivë njerëzore mbi praninë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, duke u fokusuar te lidhjet familjare dhe dimensioni human i misionit paqeruajtës. Përmes tri historive autentike të ushtarëve amerikanë dhe fëmijëve të tyre që shërbejnë së bashku në misionin e KFOR-it, artikulli dokumenton mënyrën se si respekti, besimi dhe bashkëpunimi ndërtohen në terren. Storja shpalos gjithashtu ndikimin e këtyre marrëdhënieve në ndërtimin e besimit dhe dialogut ndërkulturor në komunitetet vendore.

Çmimi iu dorëzua nga Visare Mujko Nimani, Shefe e UNFPA në Kosovë.

Raportimi mbi Ndryshimet Klimatike dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm: Uran Haxha, Kosovo 2.0,

Artikulli “Green Deal, e kemi një problem” shqyrton sfidat që përballet Kosova në zbatimin e zotimeve për dekarbonizim deri në vitin 2050, duke përfshirë varësinë nga dy termocentralet në qymyr, mungesën e investimeve në energji të ripërtëritshme dhe vonesat burokratike në ankandet për energji të gjelbër. Artikulli trajton gjithashtu ndikimin e mekanizmit CBAM në industrinë eksportuese kosovare dhe ofron analiza të sektorit të energjisë, duke evidentuar burimet kryesore të ndotjes dhe pasojat klimatike. Storja përfshin komente nga institucionet vendore, ekspertë evropianë dhe organizata jo-qeveritare, dhe është shpërndarë nga CLEW – Rrjeti i Gazetarëve për Energjinë e Pastër në Evropë.

Çmimi iu dorëzua nga Sh.T. z. Rainer Rudolph, Ambasador i Gjermanisë në Kosovë.

“Urojmë të gjithë fituesit e këtij edicioni dhe falënderojmë të gjithë gazetarët që aplikuan dhe partnerët tanë”, thuhet në kumunikatën e AGK-së.

Related Articles