Driton Ajazi, po thotë se është i vetmi kandidat legjitim i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Drenasit.
Ai tha se ai ka marrë mbështetje nga Dega e PDK-së, në Drenas që ai të jetë kandidat për kryetar të bastionit të partisë.
“Unë jam kandidat legjitim. Mu më ka emëruar Dega e partisë me shumicë votash që të jem kandidat për kryetar të ardhshëm të Drenasit. Qendra tanimë e kemi parë qëndrimin. Edhe ditën e djeshme z.Enver Hoxhaj gjatë një prononcimi për media paralajmëroi se do të mbahet një konventë e partisë ku do të vendoset për të zgjedhurit e partisë”, deklaroi ai.
Ai i ka bërë thirrje Degës qendrore të PDK-së, që të bëjë një strukturim të Degës, në prag të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti.
“Ju kisha drejtuar edhe lidershipit të komunës që të rifreskojë ato Degë dhe ta ngritin votën për PDK-në. Dega e Drenasit është shume e konsoliduar. Është e vetmja degë që në zgjedhjet e fundit ia solli fitoren PDK-së”, ka deklaruar Ajazi në T7, transmeton Gazeta Enigma.
Për sa i përket çështjes së rikandidimit të Ramiz Lladrovcit për kryetar të komunës së Drenasit, Ajazi tha se ai ka humbur përkrahjen dhe mbështetjen nga Dega.
“Z.Lladrovci është zgjedhur kryetar por gjatë qeverisjes ai pati ngecje dhe tani ai e ka humbur përkrahjen dhe mbështetjen nga dega. Edhe në zgjedhjet e fundit na është kërkuar neve strukturave ne u kemi thënë se duam ndryshime në kandidaturë dhe strukturim”, ka thënë ai.
Madje ai tha se Lladrovci e ka bojkotuare fushatën e PDKL-së edhe në zgjedhjet e fundit në Kosovë.
“Të gjithë e dinë që ai i ka bojkotuar fushatën zgjedhore të zgjedhjeve të fundit në Kosovë. Ai ende nuk e ka të sigurt nëse do të konfirmohet kandidatura e tij. Nëse do ta kishte pas të sigurt nuk do ta vet-shpallte kandidaturën e tij. Ishte ‘non sens’ si për strukturat lokale ashtu edhe për ato lokale. Ai e ka vetëshpallur veten për kryetar”, ka thënë ai.
Për sa i përket kandidatit të PDK-së për kryetar të komunës së Drenasit, Ajazi tha se ende nuk është marrë një vendim definitiv.
“Kjo çështje nuk ka marrë epilog. Kjo do të diskutohet. Besoj që në Konventën që do të mbahet do të diskutohet shumë çështje. Ne të gjithë e dimë që PDK-ja ka pasur rënie të votës dhe duhet që të kërkohet llogaridhënie për këtë çështje”, deklaroi ai.
Më tutje Ajazi deklaroi se Lladrovci nuk është pjesë e asnjë strukture të PDK-së, as në nivelin qendror , as në atë lokal.
“Sepse unë e thashë që edhe unë si pjesë e atij ekipi që z.Lladrovci fitoi, ne e kemi mbështetur dhe ai ka fituar pa balotazh. Z. Ramiz Lladrovci nuk është pjesë e asnjë strukture të PDK-së as në nivelin qendror as në atë lokal. Ai nuk e përfaqëson PDK-në. Unë jam kandidat legjitim. Ai vetëm është vetëshpallur”, tha ai.
Anëtari i Degës së PDK-së në Drenas, ka akuzuar Lladrovcin edhe për bashkëpunim me partitë e tjera opozitare.
“Prej kur e ka marrë pozitën, Lladrovci i ka afruar vetëm anëtarët e partive të tjera. Kemi asamblistë të partive të thjerra, kemi drejtor. Ai e ka marrë mandatin nga strukturat e PDK-së dhe nga elektorati i PDK-së dhe është dashur që të realizojë projektet e PDK-së. Ne kemi shkuar sipas statutit të partisë. Dega e ka propozuar kandidatin”, tha ai.
“E sigurojë z.Lladrovcin se nuk do të gjejë në CV-në time, ato që janë në të tijën. E imja është e aspektit profesional e ju si e tij me lojërat që ai i bën. Le të kërkojë sa të dojë por nuk mund të gjejë këso shprehjesh”, ka deklaruar ai./Gazeta Enigma/