Ministri i financave, Hekuran Murati, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka bërë të ditur se nuk do të hiqet akciza për naftën, derisa ka thënë se këto janë thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve.
Tutje ai ka thënë se partitë PLAN i dinë të gjitha faktet por që problemi i tyre është diku tjetër, derisa ata sipas tij, në emër të dhembshurisë për qytetarët, po tentojnë t’u bëjnë favore bizneseve të caktuara.
Postimi i tij i plotë:
Thirrjet për ulje të akcizës së naftës janë thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve
Që nga marrja e mandatit, ne si Qeveri nuk kemi ngritur as edhe një taksë të vetme. As TVSH-në, e as akcizën e naftës. Me fjalë tjera, nuk ka as edhe një veprim të vetëm të qeverisë që do të kishte ndikuar në rritjen e çmimit të naftës.
Rritja e çmimit të naftës vjen si rezultat i rritjes së çmimit të furnizimit nga importi, që është jashtë kontrollit tonë, por edhe për shkak të rritjes së marzhës së fitimit nga tregtarët e naftës, sidomos tani kur pritet ardhja e mërgatës.
Prandaj po punojmë për një vendim që cakton çmim tavan dhe marzhë maksimale të fitimit, sepse në situata të tilla të jashtëzakonshme, është e domosdoshme që Qeveria të ndërhyjë në treg për stabilizuar çmimet, gjë që parashihet edhe me legjislacionin në fuqi.
Ndërsa thirrjet e opozitës që Qeveria të ulë TVSH-në apo akcizën në naftë ose produkte tjera, nuk i shërbejnë interesit të qytetarëve.
Përkundrazi, një veprim i tillë vetëm sa do të trashte fitimet e tregtarëve në njërën anë, dhe do të kufizonte mundësitë e shtetit që t’i mbështesë familjet në nevojë në anën tjetër.Ulja e TVSH-së apo akcizës në situata inflacionare, jo domosdo reflektohet në zbritje të çmimit tek konsumatori.
Dëshminë më të mirë për këtë e kemi parë përgjatë tërë vitit të kaluar, kur me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë Hoti, TVSH-ja për bizneset e gastronomisë ishte ulur nga 18% në 8%, për tërë vitin 2021.
Përkundër kësaj, për asnjë moment çmimet e kafesë dhe produkteve tjera të gastronomisë nuk u zbritën, sepse e tërë ulja e TVSH-së u kthye në marzhë shtesë të fitimit për bizneset.
Pra, nga ulja e TVSH-së, konsumatori s’kishte fituar asgjë, shteti kishte humbur tatime që përndryshe do t’i mblidhte, dhe kësisoj shteti kishte më pak buxhet për të ndihmuar të varfrit.
Pikërisht këtë efekt patëm paralajmëruar asokohe në 2020, sa ishim si opozitë në Kuvend dhe teksa po diskutohej për Ligjin për Rimëkëmbje. Ashtu edhe ndodhi.Situatë dhe sjellje të ngjashme ka edhe tani në vendet ku është ulur akciza e naftës nga shteti. Zbritja për konsumatorin, në rastin më të mirë ka zgjatur disa ditë, dhe pastaj çmimet janë ri-ngritur dhe janë kthyer pothuajse në nivelin para uljes së akcizës.
Në Gjermani tani po diskutohet se si të aplikohet taksë speciale për fitimet e kompanive të naftës, të cilat kanë shfrytëzuar uljen e akcizës nga shteti për të trashur marzhën e fitimit për vete, duke ri-ngritur çmimet vetëm pak ditë pas zbritjes fillestare.
Tani të kthehemi te opozita PLAN.
Askush nuk mund të më bindë se ata nuk i dinë këto fakte që prezantova më lart. Së paku nga shkollat që kanë kryer për ekonomi, do të duhej t’i dinin. Mirëpo, çështja qëndron diku tjetër.Nuk është hera e parë që në emër të dhembshurisë për qytetarët, partitë e gardës së vjetër me para të buxhetit tentojnë t’u bëjnë favore bizneseve të caktuara.
E kemi rastin e heqjes së taksës minerare për Ferronikelin dhe për gurthyesit ku buxheti ishte dëmtuar më shumë se 15 milionë euro, e kemi pagesën e 60 milionë eurove me pretendimin se po mbështesin punëtorët për pandemi e në fakt më së shumti përfituan supermarketet, dhe kemi shumë vendime tjera që kanë dëmtuar buxhetin e kanë rrezikuar bankrotimin e shtetit, gjithnjë duke u thirrur në emër të qytetarëve.
Ngjashëm edhe tani, në emër të qytetarëve, po kërkojnë që shteti të heq dorë nga të hyrat e taksave, por qëllimi është tek trashja e fitimit për tregtarët.
Deri më tani, çdo taksë që ne kemi mbledhur e kemi kthyer tek qytetari. Kështu edhe do të vazhdojmë, sepse për dallim nga ata që ishin, kjo Qeveri është në anën e qytetarëve!