Një person ka humbur jetën pasditen e së mërkurës në një aksident tragjik trafiku në afërsi të Varrezave të Dëshmorëve në Kaçanik.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:15, kur policia ka pranuar njoftimin për një përplasje të rëndë.
“Menjëherë pas informacionit, patrullat policore janë nisur drejt vendit të ngjarjes dhe është kërkuar ndihma emergjente. Në vendngjarje është gjetur një person i shtrirë në tokë dhe në gjendje të rëndë shëndetësore. Ekipi mjekësor i urgjencës ka konfirmuar se personi nuk kishte shenja jete,” ka deklaruar Veseli.
Sipas zëdhënësit, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur kur një traktor është rrokullisur disa metra nga rruga e fshatit Stagovë, duke përfunduar poshtë në rrugën magjistrale Kaçanik-Hani i Elezit. Rrethanat e sakta të ngjarjes ende nuk janë sqaruar plotësisht.