Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Enigma.
Disa aksidente kanë ndodhur së fundi në qytete të ndryshme të vendit tonë, Sinjali mëson se fillimisht në rrugën ‘Lidhja e Prizrenit’ në Gjilan janë përfshirë dy vetura në një aksident. Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur për shkak të mosmbajtjes së mjaftueshme të distancës mes automjeteve. Si pasojë e aksidentit është lënduar një person e cila është dërguar për tretman mjekësor në spital.
Një tjetër aksident trafiku ka ndodhur në rrugën rajonale Bajgorë – Mitrovicë, pasi një veturë që po drejtohej nga një person i mitur është përplasur me një shtyllë elektrike. Kjo dyshohet të ketë ndodhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës. Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar tre të mitur të cilët janë dërguar në spital.
Në një aksident është përfshirë edhe një fëmijë 8-vjeçar në fshatin Billushë të Prizrenit. Sinjali mëson se fëmija ka qenë me biçikletë, e ka lëshuar atë me shpejtësi të papërshtatshme dhe është përplasur në një kamionetë. Si pasojë e kësaj, i mituri ka marrë lëndime trupore dhe është dërguar me urgjencë në spital.
Dëme materiale iu shkaktuan edhe një veturë të Policisë së Kosovës në fshatin Vrellë të Istogut. Një zyrtar policor ka shkaktuar aksident, pasi duke lëvizur mbrapa, ka goditur një shtyllë elektrike. Polici nuk ka pësuar lëndime.
Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë moszbatimi i rregullave.