Aksioni “Brezovica” – Prokurori i çështjes: I kemi ngrirë afër 6 milionë euro

Aksioni “Brezovica” – Prokurori i çështjes: I kemi ngrirë afër 6 milionë euro

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka mbajtur konferencë për media lidhur me aksionin policor “Brezovica”, ku brenda më pak se një muaji dy aksione u zhvilluan në qendrën e njohur të skijimit Brezovica, nën dyshimet se janë kryer ndërtime pa leje në këtë kompleks, shkruan Gazeta Enigma.

Prokurori i çështjes, Rasim Maloku, ka thënë se shumica e parave të ngrira janë të vetë të pandehurve,

“Nga të dhënat financiare që i kemi siguruar nga bankat që i posedojnë këta të pandehur dhe familjarët e tyre, deri tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro. Shumica e këtyre mjeteve janë të vetë të pandehurve, kurse një pjesë e tyre janë të familjarëve të tyre që dyshohet se janë mjete të përfituara si dobi pasurore nga veprat penale”, tha Maloku.

Ai paralajmëroi se aksione të ngjashme si sot dhe ai më herët do të zhvillohen sërish.

“Nuk është aksioni i fundit. Ky proces do të vazhdojë në ditët e ardhshme dhe do të njoftoheni me kohë”, tha prokurori Maloku.

Ndërsa zyrtari policor, Agron Haziri tha se në aksionin e sotëm u arrestuan 4 persona. Njëri prej tyre tha se është liruar, ndërsa tha se janë në kërkim edhe të 5 personave tjerë.

“Operacioni ka rezultuar me 4 persona të arrestuar. Një person i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt. 3 persona të tjerë janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit dhe 5 persona janë në kërkim policor”, tha Haziri.

Haziri tha se kanë sekuestruar armë, një veturë e gjëra të tjera, në mesin e të cilëve edhe një uniformë policore të ish-sistemit serb.

“Gjatë kontrollit të sotëm janë sekuestruar edhe dëshmi dhe prova materiale si në vijim: është sekuestruar një veturë BMW X1, armë CZE, armë tjetër Zastava, 136 fishekë, një kuti me armë, një karikator i zbrazët, një shtëpizë kompjuteri, një telefon mobil, USB, pesë video-kaseta, uniformë me mbishkrimin ‘policia e ish-sistemit jugosllav, ose serb’, një antiplumb dhe dokumente të ndryshme”, tha ai.

Ai njoftoi se të arrestuarit, përveç ryshfetit, dyshohen edhe për pengim të procesit dhe frikësim.

Si nisi aksioni i dhjetorit për rastin Brezovica?

Në fund të dhjetorit të vitit 2021, Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Nikolliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë vila, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e vilave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar “Sharri”, ku gjendet edhe Brezovica.

Pamje nga aksioni

Autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht.

Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë.

Në krye të saj, që nga themelimi në vitin 2009 e deri në fund të nëntorit 2021, ishte Nikolliq, nga radhët e Listës Serbe.

Ndërkohë, në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për dhjetë personat e arrestuar më 21 dhjetor në rastin ‘Brezovica’. Në mesin e tyre është edhe Bratisllav Nikolliq, ish – kryetar i Komunës së Shtërpcës dhe zyrtar i Listës Serbe.

“Kërkesën e Prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër dhjetë të dyshuarve, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç”, thuhet në njoftim.

Në kërkesën për vendosjen e masës së paraburgimit thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Nikolliq, nga viti 2014 deri në tetor të vitit 2018 ka marrë para dhe dhurata në mënyrë të drejtpërdrejtë në këmbim të dhënies së lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, përkatësisht në zonën e dytë dhe të tretë në Brezovicë.

Prokuroria dyshon se Nikolliq ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, por edhe “ka pranuar dhurata me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore”.

Nikolliq dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë. / Gazeta Enigma.

Related Articles