Aksioni i madh në rajonin e Pejës: Mbyllen 7 vendpunime, morën pjesë 9 prokurorë e 60 policë

Aksioni i madh në rajonin e Pejës: Mbyllen 7 vendpunime, morën pjesë 9 prokurorë e 60 policë

Një aksion i madh është zhvilluar gjatë ditës së sotme nga prokuroria e Pejës në këtë qytet, si dhe në Klinë, Istog e Deçan. Lidhur me këtë ka thënë detaje vetë kjo prokurori, duke njoftuar se aksioni është zhvilluar në njëzet lokacione. Po ashtu në njoftim bëhet e qartë se aksioni është zhvilluar nën asistencën e Inspektoratit të Punës si dhe me koordinim me Policinë e Kosovës.

Në komunikatë theksohet edhe se aksioni është zhvilluar në punimet e banesave kolektive lidhur me sigurinë e punëtorëve për shëndetin dhe jetën e tyre në vendin e punës nga kompanitë kontraktuese për kryerjen e punimeve.

Tutje, shtohet se aksioni është udhëhequr nga kryeprokurorja prokurorisë Themelore të Pejës, Lumturije Vuçetaj dhe nën mbështetjen e 9 prokurorëve të shtetit e 60 zyrtarëve policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë.

Më tej, theksohet edhe se nga ky aksion janë shoqëruar në stacionet policore personat përgjegjës të kompanive kontraktuese dhe si rrjedhojë janë mbyllur shtatë vend punime, dy në qytetin e Pejës, tri në Istog, një në Klinë dhe një në Deçan.

Përveç këtyre, nga njoftimi i Prokurorisë bëhet e ditur se në raste ku ka pasur elemente të veprave penale janë iniciuar raste për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës “nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës”.

Komunikata:

Aksion i Prokurorisë se Pejës, Policisë se Kosovës dhe Inspektoratit të punës në 20 lokacione

Pejë, 5 shtator 2025 – Prokuroria Themelore në Pejë, me vetiniciativë pas ndërmarrjes se veprimeve paraprake hetimore në koordinim me Policinë e Kosovës, sot ka zhvilluar aksion në njëzet (20) lokacione, përkatësisht në Pejë, Klinë, Istog dhe Deçan, nën asistencën e Inspektoratit të Punës, në punimet e banesave kolektive lidhur me sigurinë e punëtorëve për shëndetin dhe jetën e tyre në vendin e punës nga kompanitë kontraktuese për kryerjen e punimeve.

Ky aksion i udhëhequr nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, znj. Lumturije Vuçetaj dhe nën mbështetjen e nëntë (9) prokurorëve të shtetit, gjashtëdhjetë (60) zyrtarëve policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, ka rezultuar në të gjitha kontrollet me parregullsi për sigurinë e punëtorëve në vendin e punës dhe jetën e qytetarëve tjerë.

Nga ky aksion gjithëpërfshirës, me autorizimet e prokurorit të shtetit janë shoqëruar në stacionet policore personat përgjegjës të kompanive kontraktuese dhe si rrjedhojë janë mbyllur shtatë vend punime, dy (2) në qytetin e Pejës, tri (3) në Istog, një (1) në Klinë dhe një (1) në Deçan.

Gjithashtu, në raste ku ka pasur elemente të veprave penale janë iniciuar raste për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës “nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës”.

Përveç kësaj, janë njoftuar edhe institucionet relevante për ndërmarrjen e veprimeve ligjore dhe përpilimin e raporteve lidhur me lejet e këtyre objekteve, punime të kundërligjshme si dhe veprat tjera eventuale, për të cilat këto institucione duhet përpilojnë raporte për të gjeturat në këto ndërtime kolektive për t’i deponuar në Prokurorinë Themelore të Pejës.

Vlen të potencohet fakti se në Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë periudhës gjashtë mujore janar- qershor 2025, janë pranuar gjithsej nëntëmbëdhjetë raste për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës “, ku për fat të keq tre (3) punëtor kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, kurse në gjashtëmbëdhjetë (16) raste tjera kanë pësuar lëndime të rënda trupore në vendin e tyre të punës.

Prokuroria Themelore e Pejës, mbetet e përkushtuar për sigurinë e secilit punëtor dhe qytetarë që mund ti rrezikohet shëndeti apo jeta në çfarë do forme.

Andaj, inkurajojmë secilin qytetarë që ka informacion për raste të tilla të bashkëpunojë me Prokurorinë Themelore të Pejës apo Policinë e Kosoës, në mënyre që shkelësit e ligjit të ndiqen penalisht dhe të vihen para drejtësisë

Related Articles