Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Pothuajse në secilin qytet, dillerët e drogës janë persona me të kaluar kriminale dhe të cilët arrijnë të shpëtojnë nga prangat e Policisë e të vazhdojnë me veprime të kundërligjshme.
Një aksion i Antidrogës në Gjilan që kishte cak arrestimin e një personi të dyshuar për shitje dhe shpërndarje të narkotikëve rezultoi vetëm me kapjen e një sasie të drogës.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për Dionis Selimin, rreth 23-vjeçar, i cili nuk u gjet në shtëpi, kur zyrtarët policorë zbarkuan sot në shtëpinë e tij në Gjilan.
Sipas informacioneve të para, Policia ka gjetur rreth 20 qese me narkotikë të llojit marihuanë, që i riu dyshohet se i kishte gati për t’i shitur.
Lidhur me rastin, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.
I dyshuari do të kërkohet nga Policia dhe pasi të sigurohet prezenca e tij, do të ndalohet.