Të mërkurën (11 shtator), Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave të dyshuar për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, 24 shtatorin e vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, heroi Afrim Bunjaku.
E Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë se e vlerëson punën e Prokurorisë Speciale.
“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës dhe Policisë së Kosovës për përfundimin e hetimit të sulmit në Banjskë dhe ngritjen e aktakuzës. Gati një vit ka kaluar që nga ky krim brutal që vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Shtetet e Bashkuara ritheksojnë se të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka thënë ky zëdhënës për Klankosova.tv.
Ambasada e ShBA-së gjithashtu ka inkurajuar respektimin e procesit gjyqësor dhe sundimin e ligjit, duke kërkuar “durim” ndërsa ky rast kompleks të trajtohet në gjykata.
Nga ambasada përsëritën mbështetjen e fuqishme për sundimin e ligjit, drejtësinë e barabartë dhe qeverisjen e mirë në Kosovë.
Në mesin e të akuzuarve është edhe Millan Radoiçiq, i cili e kishte pranuar publikisht përgjegjësinë për ngjarjet në Banjskë, disa ditë pas rastit.