Prokuroria Speciale e Kosovës, të hënën e 13 shtatorit ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër 15 të pandehurve, të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.
Përmes një komunikate për media, PSRK ka njoftuar se njëri nga të akuzuarit në veprën penale “krim i organizuar”, është ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit dhe nëntë zyrtarë të tjerë të së njëjtës komunë.
“Prokuroria Speciale njofton se 15 të pandehurit janë, D.J., H.B., A.A., Xh.F., H.H., M.H., A.K., Ç.T., M.R., M.I., B.B., N.M., I.K., J.B. dhe B.M., të akuzuar për shkak të veprës penale ‘Krimi i organizuar’ lidhur me veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës zyrtare’, ku janë të përfshirë ish kryetari i Komunës së Leposaviqit, si dhe nëntë zyrtarë të tjerë”, thuhet në njoftim.
Sipas këtij njoftimi, raportohet se përveç 10 të akuzuarit e lartcekur janë edhe pesë persona të tjerë të cilët akuzohen për të njëjtën arsye.
“Pesë të pandehurit të tjerë janë pronarë të bizneseve private të angazhuar në projektet e komunës”, vijon njoftimi.