Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër pesë të pandehurve, D.C., D.N., M.Sh., N.S. dhe S.J., për krime lufte ndaj popullatës civile, në Gjilan.
Në njoftim thuhet se për pesë të pandehurit, ekziston dyshimi se në regjionin e Gjilanit, me uniforma të kamufluara e uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, kanë marrë pjesë në vrasjen e tetë civilëve shqiptarë, ku një nga ta është djegur për së gjalli.
“Për pesë të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë luftës në Kosovë, konkretisht në regjionin e Gjilanit, si pjesë e grupit kriminal, në bashkëkryerje edhe me pjesëtar tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, kanë marrë pjesë në vrasjen e tetë (8) civileve shqiptarë”.
“E konkretisht dy nga këto viktima i kanë vendosur në grumbull drunjësh, ku njëri nga ta është djegur për së gjalli, kishin rrahur, maltretuar, torturuar, plaçkitur, dëbuar popullatën civile shqiptare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë, andaj, – më këtë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale”, thuhet në aktakuzë.
Po ashtu, Prokuroria Speciale tha se për të pandehurit M.Sh., dhe N.S., ekziston dyshimi se gjatë zbatimit të urdhrit të kontrolleve, janë gjetur në pronësi dhe posedim armë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm me armët.