Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe mediave nga komuniteti serb në Kosovë kanë miratuar një deklaratë të përbashkët në të cilën bëjnë thirrje për zgjidhje paqësore të krizës dhe fillimin e dialogut konstruktiv pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës.
“Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe mediave nga komuniteti serb në Kosovë, të mbledhur rreth platformës Empirika, u bëjnë thirrje të gjitha palëve që në mënyrë paqësore të zgjidhin krizën në veri të Kosovës që u ngrit për shkak të njoftimit për fillimin e zbatimit të vendimit për ri-regjistrimi i targave serbe (me shenja të qyteteve të Kosovës) në RKS dhe vendosjes e reciprocitetit në letërnjoftime të lëshuara nga Republika e Serbisë”, thuhet në deklaratë.
Tutje, ata i kanë bërë thirrje qeverive në Beograd e Prishtinë që të përmbahen nga çdo lëvizje e njëanshme dhe të zëvendësojnë retorikën nxitëse me dialog konstruktiv, i cili është e vetmja mënyrë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme që do të respektojë nevojat e qytetarëve.
“I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar, BE-së, SHBA-së dhe vendeve të Kuintit që menjëherë dhe sa më shpejt të krijojnë hapësirë për dialog në nivel politik, duke insistuar në kontakt të drejtpërdrejtë ndërmjet delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës. Ftojmë Listën Serbe që, si anëtare e Qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve të tjera lokale dhe qendrore, të marrë përgjegjësi dhe të marrë pjesë aktive në zgjidhjen e këtij problemi dhe të krijojë një kanal institucional të komunikimit me Kryeministrin e Kosovës, përveç komunikimit me Beogradin, që është e vetmja mënyrë e drejtë për të vepruar politikisht përgjegjës”.
”Deputetët dhe ministrat e Listës Serbe janë të vetmit përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, prandaj është e nevojshme që veprimet pasive të zëvendësohen me një rol proaktiv në zgjidhjen e problemeve që prekin drejtpërdrejt qytetarët. Në atë proces është e nevojshme të vendoset një komunikim të drejtpërdrejtë dhe të pandërprerë me popullatën lokale, sektorin joqeveritar dhe të gjithë akterët relevant nga radhët e komunitetit serb në Kosovë”.
Në deklaratë, ndër të tjera, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe mediave nga komuniteti serb ka kërkuar nga qeveria kosovare, se në këtë situatë të tensioneve të shtuara, është obligim i veçantë i organeve kompetente që të gjitha informatat, dokumentet, njoftimet t’i publikojnë në të gjitha gjuhët zyrtare në Kosovë dhe t’i bëjnë që ato të arrijnë deri te gjithë qytetarët në Kosovë.
“Në këtë mënyrë do të parandalohen të gjitha paqartësitë, dezinformatat dhe lajmet e rreme apo të shtrembëruara, të cilat mund të kërcënojnë paqen dhe sigurinë e përgjithshme të individit”.
”Mungesa e komunikimit me komunitetet lokale dhe angazhimi i njësive speciale policore kanë ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe kërcënojnë të thellojnë nivelin e lartë të mosbesimit mes dy komuniteteve më të shumta etnike në Kosovë, kështu që në vend të një dialog konstruktiv, energjia dhe hapësira janë të orientuara drejt destabilizimit të situatës në terren dhe zgjidhjeve të detyruara që shpesh janë në dëm të qytetarëve”, thotë deklarata.
“Ne, përfaqësuesit e sektorit civil dhe mediave nga komuniteti serb në Kosovë, si aktivistë dhe qytetarë, dëshirojmë që urrejtja, tensioni dhe destabilizimi të përfundojë dhe përmes dialogut dhe zgjidhjes së përbashkët të problemeve të krijohen kushte për jetë të përbashkët, bashkëpunim dhe prosperitet”.