Akuzat për padrejtësi në Hagë, Trendafilova: Vendimet mund të apelohen

Akuzat për padrejtësi në Hagë, Trendafilova: Vendimet mund të apelohen

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësja Ekaterina Trendafilova,  ka deklaruar se procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit po zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.

Ajo pranoi se ka pasur tentativa për frikësim të dëshmitarëve, por siguroi se DHSK-ja i ka dhënë prioritet mbrojtjes së tyre.

Trendafilova tha se ritmi i procesit është i rregullt, duke pasur parasysh kompleksitetin e çështjes dhe numrin e të akuzuarve.

Ajo i cilësoi avokatët mbrojtës si profesionistë dhe të përkushtuar.

Në lidhje me kritikat për padrejtësi e njëanshmëri, Trendafilova në RTK tha se të gjitha vendimet mund të apelohen në instanca të pavarura dhe proceset respektojnë të drejtat themelore sipas Kushtetutës.

Duke komentuar anulimin e konferencës për media në Kosovë, ajo tha se siguria e gazetarëve ishte prioritet, ndërsa shtoi se kjo ngjarje reflekton sfidat me të cilat përballet procesi i drejtësisë në raport me frikësimin e dëshmitarëve.

Lidhur me paraburgimin e zgjatur të të akuzuarve, Trendafilova sqaroi se vendimet janë të arsyetuara dhe rishikohen çdo dy muaj, ndërsa përfundimi i procesit ende nuk mund të parashikohet.

Në dy vjet, mbi 125 dëshmitarë të ftuar nga Prokuroria e Specializuar kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ish-krerët e UÇK-së.

Tani që Prokurorisë po i përfundon koha për të vërtetuar akuzat e saj, e ardhmja e gjyqit është e pasigurt.

Në tetor të vitit 2020 ishte konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen se kishin qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet” gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.

Avokatët e të akuzuarve kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase.

Në kohën e ngritjes së aktakuzës, Thaçi kishte qenë president i Kosovës; Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK); Selimi, deputet dhe udhëheqës i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV); dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Të katërt, sipas Prokurorisë, mbanin poste të larta edhe përgjatë kohës që mbulon aktakuza.

Related Articles