Ka nisur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykimi i serbes Jelena Gjukanoviq, punonjëse e OSBE-së, e akuzuar për spiunazh.
Jelena Gjukanoviq nuk e ka pranuar fajësinë për spiunazh.
Prokurori Bekim Kodraliu deklaroi se Jelena Gjukanoviq, zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë, po akuzohet për veprën penale të spiunazhit.
Ai tha se Gjukanoviq dyshohet se ka përcjellë informacione të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejt me rendin kushtetues dhe sigurinë institucionale të Republikës së Kosovës te Aleksandar Vllajiq, i identifikuar si agjent rezident i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).
“…agjentin resident të BIA-së Aleksandar Vllajiq, të cilit i ka përcjellë informacione të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejtë me rendin Kushtetues, sigurinë institucionale dhe veprimtarinë e brendshme të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat informacione pastaj janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-së përkatësisht Ratko Gajtanoviq, përgjegjës i BIA-së për rajonin e Novi Pazarit në Serbi dhe zyrtari tjetër Lubisha Bukviq”, ka thënë Kodra.
Ai po ashtu tha se e pandehura është takuar në disa raste në zyrat e BIA-së në Beograd.
“Gjithashtu e pandehura përmes influencimit dhe ndikimet e saj nga pozita që mbante në OSBE dhe udhëzimet që kishte marrë nga tani i dënuari për spiunazh, Aleksandar Vllajiq dhe zyrtarët e BIA-së, e njëjta gjatë takimeve zyrtare dhe përftimit të raportit të OSBE-së për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë ka kontribuuar në konfirmimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës, çka përmes këtyre veprimeve të qëllimshme e pandehura ka cenuar rëndë rendin Kushtetues dhe sigurinë kombëtare dhe ka vënë në rrezik serioz jetën dhe sigurinë personale të zyrtarëve shtetërorë, qytetarët e vendit si dhe personelin ndërkombëtarë të institucionit të OSBE-së në Kosovë. Me këtë e pandehura Jelena Gjukanoviq në vazhdimësi e ka kryer veprën penale të spiunazhit”, ka thënë prokurori Kodra.