E akuzuara për ngacmim, T.M, ka dalur sot para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me akuzën e Prokurorisë.
Pas leximit të aktakuzës, e akuzuara tha se nuk e pranon fajësinë pasi nuk e ndien veten fare fajtore.
“Kjo që e lexoi prokurorja është shpifje nga këta prind të cilët gjinden këtu. Nuk e pranoj fajësinë në asnjë mënyrë”, tha e akuzuara.
Sipas aktakuzës, T.M se më 12 qershor 2021, në Gjilan me qëllim të frikësimit të të dëmtuarve, fëmijëve A. H., i cili i ka 10 vjet, A. H., 6 vjet dhe F. S., 9 vjet, ajo është sjellur ndaj të dëmtuarve të cilët luanin me top para ndërtesës, dhe ua ka marrë topin, raporton Kallxo.com.
Sipas Prokurorisë, e akuzuara pastaj ka hyrë në një kafiteri, nga pronari ka kërkuar një thikë, e pastaj ka hyrë në tualetin e kafiterisë, e ka prerë topin, dhe ka dalë nga kafiteria dhe ua ka gjuajtur topin e prerë fëmijëve.
Kështu sipas Prokurorisë ajo solli fëmijët – të dëmtuarit në gjendje ankthi, frike dhe vuajtje mendore. /Gazeta Enigma.