Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, gjatë ditës i ka kërkuar ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, që të fillojë procedurën e shpërbërjes së Kuvendit Komunal të Gjilanit.
Kjo pasi sipas tij tashmë janë kaluar afatet igjore për votimin e buxhetit komunal dhe se siç tha ai, Kuvendi Komunal nuk po arrin t’i përmbushë detyrat dhe obligimet ligjore.
“I nderuar Ministër, tanimë kemi kaluar afatet ligjore për votimin e buxhetit. Duke e parë që Kuvendi Komunal, nuk po arrin të përmbushë detyrat dhe obligimet e tij ligjore, kërkojmë nga ju që duke u bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, nenin 50 dhe pikën c, për arsye të mosvotimit të buxhetit sipas afatit ligjor, të filloni procedurën e shpërbërjes së Kuvendit Komunal”, thuhet në letrën e Hysenit, dërguar ministrit Krasniqi.
Tutje, në letrën e Hysenit, dërguar ministrit Krasniqi thuhet se mbi 2.5 milionë euro, që sipas tij, do të duhej të bartëshin nga viti 2023 në vitin 2024, nuk janë votuar nga Kuvendi Komunal që nga fillimi i këtij viti.
“Është viti i dytë me radhë që kemi sfida me votimin e buxhetit komunal. Pas mbledhjes së KPF-së për përgatitjen e seancës së shtatorit, me vota kundër, buxheti komunal është kundërshtuar që të jetë pikë e rendit të ditës në seancën e rregullt”, thuhet më tej në letër. /Gazeta Enigma