Ka filluar seanca e parë në rastin e aktakuzës ku pjesë e saj është ministri i Ambientit, Liburn Aliu dhe zyrtarët Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi.
Prokurorja e cila e ka ngritur aktakuzën, Dulina Hamiti gjatë leximit të aktakuzës ka thënë së të akuzuarit e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në atë mënyrë që nuk e kanë respektuar planin zhvillimor urban të MMPH-së.
Pas leximit të aktakuzës, të pandehurit janë deklaruar në lidhje me fajësinë.
“Jo nuk e pranoj”, ka thënë Aliu. Të pafajshëm janë deklaruar edhe të akuzuarit e tjerë.
Të gjithë janë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, vepër penale e cila gjendet në kapitullin e korrupsionit në Kodin Penal të Kosovës.
Gjykata ka marrë aktvendim që të mbajë edhe seancën e shqyrtimit të dytë, para se të akuzuarit të mund të kundërshtojnë aktakuzën. Seanca e shqyrtimit të dytë do të mbahet me 7 qershor.