Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu i është përgjigjur akuzave nga deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra e cila kërkoi shkarkimin e tij dhe të zëvendësministrit Hysen Durmishi, pasi sipas saj “Auditori konfirmoi pretendimet e PDK-së për afera korruptive në ministrinë e ministrit Aliu”.
Ministri Aliu ka thënë se raportin e Auditorit të Brendshëm e kanë marrë jashtëzakonisht seriozisht.
“Për tenderin për të cilin po flisni, dyshimet për parregullsi i kemi marrë nga ankesat e operatorëve. Ankesat kanë qenë të bazuara dhe këtë raport të Auditimit e kam iniciuar vetë bashkë me zëvendësministrin”, ka thënë Aliu.
Aliu ka shtuar se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Prokurorinë.
“Raporti ka tregu që ka parregullsi dhe e ftojmë ne Prokurorinë dhe jemi të gatshëm me bashkëpununu me Prokurorinë. Jemi të vendosur mi shku kësaj pune deri në fund”, ka thënë Aliu.
Ministri ka shtuar se për të gjitha projektet do të bëjmë auditim.
“Parregullsi që nuk i kap logjika e një inxhinieri apo një zyrtari normal, por ja që kanë ndodh dhe ne duhet të merremi sepse duhet me vendos rend”, tha Aliu.