Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se tashmë janë alokuar mjetet në kategorinë mallra dhe shërbime në vlerë prej 2.7 milionë euro, e nevojshme për pagesën e operatorëve të transportit publik, sipas vendimit të Kuvendit të Prishtinës për të hyrat vetanake.
“Kjo pjesë është proceduar veçmas nga pjesa tjetër prej 25.9 milionë eurove e projekteve kapitale në mënyrë që të kryhet sot me prioritet, sepse kapitalet duke qenë në shumë linja marrin kohë më gjatë dhe nuk ishte e mundur të kryheshin sot”, njoftoi Murati.
Murati kritikoi Komunën e Prishtinës me kryetarin Përparim Rama, pasi ky i fundit pak më parë me doemos kërkonte alokimin e mjeteve, madje duke e pyetur Muratin: “Pse nuk po i qet paret?”.
Murati tha sesot Departamenti i Buxhetit ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët financiarë të Komunës së Prishtinës për të siguruar procedum sa më të shpejtë, që nënkupton se Komuna kanë qenë të informuar përgjatë tërë procesit dhe për ecurinë e alokimit.
“Prandaj është për keqardhje sjellja e deklaratat dezinformuese nga ana e Komunës së Prishtinës që gjoja Ministria nuk po bën alokimin e mjeteve, kur në fakt edhe ata vetë e dinë që kemi të bëjmë me procedura që nuk mund të tejkalohen”, shkroi Murati.
“Gjithsesi, uroj që komuna të ketë vlerësuar saktë obligimet financiare në kategorinë mallra dhe shërbime, kur ka vendosur të ndajë vetëm 2.7 milionë euro, dhe tash të shlyejë të gjitha borxhet që ka ndaj operatorëve të transportit publik, e me këtë të marrë fund edhe farsa për gjoja bllokadën e pretenduar”, u shpreh në fund ministrin në detyrë.
