Ambasada britanike e përgënjështron Rushitin për mbështetjen në kandidaturë: S’përkrahim asnjë kandidat

Ambasada britanike e përgënjështron Rushitin për mbështetjen në kandidaturë: S’përkrahim asnjë kandidat

Deklaratat e kandidates së propozuar për presidente nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushiti, lidhur me mbështetjen ndërkombëtare për kandidaturën e saj, janë përgënjeshtruar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Rushiti kishte deklaruar se propozimi për kandidaturën e saj ishte mbështetur edhe nga partnerë ndërkombëtarë, duke përmendur konkretisht ambasadën britanike.

Ajo theksoi se prej vitesh bashkëpunon me këtë ambasadë dhe se, sipas saj, ideja për kandidimin ishte diskutuar edhe më herët.

“Partnerët ndërkombëtar nëse mund t’i them janë ambasada angleze, me të cilët bashkëpunoj dhe më mbështesin qe sa vite. Këtë propozim ma kanë bë edhe më herët, para se me vendos, dhe kam thanë “jo.” Sepse kam mendu që ka me pas zgjidhje politike. Pastaj sot kam qenë edhe me ambasadoren amerikane në kontakt. Më kanë përuru për guximin që e kam marrë. Unë edhe jam “grua e guximshme” prej Departamentit të Shtetit amerikan,” tha ajo.

Mirëpo, këto deklarata janë hedhur poshtë nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

“Mbretëria e Bashkuar nuk ka asnjë rol në propozimin apo mbështetjen e ndonjë kandidati të caktuar në Kosovë dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë”, është thënë nga Ambasada britanike.

“Ne vërejmë se partitë janë përpjekur dhe kanë dështuar të arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e një Presidenti të ri të Kosovës, dhe si rezultat, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja kombëtare. Ashtu si me zgjedhjet e tjera të fundit, ne vazhdojmë t’i inkurajojmë të gjitha partitë të vazhdojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, dhe të zhvillojnë fushatën në një mënyrë konstruktive dhe respektuese. Është roli ekskluziv i partive politike të diskutojnë dhe të emërojnë kandidatë të mundshëm për zgjedhje”, potencuan tutje nga ambasada britanike.

Related Articles