D4D-ja ka lansuar raportin “Zgjedhjet para Gjykatës: Kontestet zgjedhore në Kosovë”, raporton Gazeta Enigma.
Richard Le Vay nga Ambasada Britanike në Prishtinë tha se shpreson që Kuvendi i Kosovës ta angazhojë një grup ad-hock për të punuar për reformën zgjedhore.
“Zgjedhjet e shkurtit ishin tejet të rëndësishme për Kosovën për shkak të pandemisë dhe u monitoruan më pak. D4D-ja bëri punë të mirë të monitorimit. Bashkëpunimi institucional është duke u përmirësuar. Shpresoj që Kuvendi i Kosovës do të mund të rikthej një grup ad-hock për të punuar për reformë zgjedhore”.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka tha se Kosova ka arritur të organizojë zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar deri më tani me dhjetëra procese zgjedhore, qoftë të plota apo të pjesshme. Shumë prej këtyre proceseve zgjedhore kanë qenë zgjedhje të parakohshme, sidomos për Kuvendin e Kosovës. Megjithëkëtë, pavarësisht sfidimit me afate të shkurtëra kohore ne kemi arritur që të organizojmë zgjedhje që janë vlerësuar lartë, përfshirë edhe vëzhguesit”.
Po ashtu, Daka tregoi se çfarë bën KQZ-ja për mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i shërben mbarëvajtjes së proceseve zgjedhore në disa drejtime: përmes vetëdijësimit; kujdesit; bashkëpunimit me të gjithë akterët e proceseve zgjedhore dhe kallëzimi në organet e drejtësisë të personave që kanë kryer veprat penale kundër të drejtës së votimit”.
Allen Meta nga D4D-ja ka paraqitur të dhëna nga raporti duke njoftuar se në zgjedhjet e vitit 2021 janë shënuar numër më i vogël i ankesave në PZAP, krahasuar me vitet paraprake.
Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak të pandemisë, duke shkaktuar kështu kufizimin e aktiviteteve të partive politike.
“Gjatë zgjedhjeve qendrore të mbajtura prej vitit 2009 deri në 2021, PZAP-ja ka pranuar mesatarisht nga 564 ankesa për zgjedhje, duke filluar nga një numër më të vogël prej 189 ankesash në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 deri në numrin më të lartë para 1,117 ankesash në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Numri i ulët i ankesave në zgjedhjet e vitit 2021 është për shkak të aktivitetit të kufizuar të fushatave si rezultat i pandemisë Covid-19”, ka treguar ai.
Tutje Meta ka njoftuar se vlera totale e gjobave të shqiptuara nga PZAP-ja për subjektet politike ishte mbi 2 milionë euro, duke prirë këtu Partia Dekokratike e Kosovës.
“Në zgjedhjet nacionale të mbajtura në vitit 2009 deri në vitin 2021, vlera totale e gjobave të shqiptimit nga PZAP-dhe për subjektet politikë ishte 2.039.470 EUR. Në këtë zgjedhje, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë subjekti politik me më së shumti, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)”, ka shtuar ai.
Meta gjithashtu tregoi se në zgjedhjet e vitit 2021 ka pasur rënie rë rinumërimit të vendvotimeve.
“Të dhënat nga KQZ – ja tregojnë që përsëritja e zgjedhjeve është duke u bërë praktikë më e rrallë. Nuk ka pasur përsëritje të zgjedhjeve në katër zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura gjatë viteve 2014, 2017 , 2019 dhe 2021. Në zgjedhjet lokale të mbajtura në vitin 2017 dhe në zgjedhjet parlamentare në vitin 2019 , pati një rritje të konsiderueshme të vendvotimeve të rinumëruara, e cila ishte edhe rezultat i vendimeve të KQZ-së edhe i aktgjykimeve të PZAP-së, megjithatë kjo ka rënë përsëri në zgjedhjet e vitit 2021”, ka thënë ai.
Poashtu Meta ka thënë se raporti rezulton me rënie drastike të numrit të kallzimeve penale.
“Numri i kallëzimeve penale dhe personave të përfshirë kundër të drejtave të votimit ka rënë në mënyrë drastike me kalimin e viteve. Në vitin 2013 kishte 209 kallëzime penale që përfshinin 1 216 persona, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2021 Prokurori i Shtetit regjistroi 13 raste që përfshinin 17 persona. Në këtë mund të kenë kontribuar një varg faktorësh : rritja e dukshmërisë së autoriteteve gjyqësore në luftimin e mashtrimit në zgjedhje, ndëshkimet e theksuara kundër autorëve të shkeljeve dhe zvogëlimi i veprave penale të kryera nga partitë politike. Në përgjithësi, numri i rasteve ka ardhur duke u zvogëluar nga viti në vit”, ka theksuar ai.
Meta tha se Policia e Kosovës në vitin 2021, ka arrestuar 11 persona për shkelje të të drejtave të njeriut.
“Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Policia e Kosovës regjistroi 11 raste që kishin të bënin me shkelje të të drejtave njeriut, arrestoi 4 persona dhe mbajti në arrest 1. Nga 11 rastet e regjistruara nga Policia, 5 ishin në ditën e zgjedhjeve”, ka përfunduar ai./Gazeta Enigma/