Ambasada britanike reagon pas shpalljes së konkursit për Kryeprokuror të shtetit, u bë pa mbështetjen tonë

Ambasada britanike reagon pas shpalljes së konkursit për Kryeprokuror të shtetit, u bë pa mbështetjen tonë

Ambasada britanike ka reaguar për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke thënë se kjo gjë u bë pa kërkuar mbështetjen e ambasadës sikurse ka ndodhur në të kaluarën, raporton Gazeta “Enigma”.

Për këtë veprim të KPK, ambasada britanike tha se ishte befasues meqë ishin në pritje të përgjigjes për këtë shpallje, njofton Klan Kosova.

“Ambasada Britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues. Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, ka shkruar ambasada në njoftim.

Këshilli Prokurorial i Kosovës të mërkurën ka shpallë konkursin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit për shkak që kryeprokurorit aktual, Aleksandër Lumezi, do t’i mbarojë mandati në prill.

“Ky vendim është marrë duke u bazuar në Rregulloren nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, e cila përcakton që konkursi shpallet së paku 90 ditë para skadimit të mandatit të Kryeprokurorit aktual të Shtetit. Mandati 7-vjeçar i Kryeprokurorit aktual të Shtetit, Aleksandër Lumezi, do të përfundojë më 21 prill 2022”. / Gazeta Enigma.

Related Articles