Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka dal dje me një mesazh për nënat gjidhënëse.
Ajo u ka kërkuar atyre që të vaksinohen sa më parë kundër COVID-19, pasi që siç ka thënë ajo, vaksinimi nuk shkakton asnjë problem te to apo foshnja.
E video-mesazhin e ministres Haxhiu e ka publikuar sot edhe Ambasada e Amerikës në Prishtinë.
Nga kjo ambasadë kanë thënë se nënat shtatzëna kanë më shumë gjasë që të sëmuren rëndë nga COVID-19.
Andaj, kanë bërë thirrje që ato të vaksinohen në mënyrë që të mbrojnë edhe veten edhe foshnjën.
“Shtatzënat dhe kohët e fundit nënat shtatzëna kanë më shumë gjasa të sëmuren rëndë me COVID19. Mbroni veten dhe foshnjën tuaj duke u vaksinuar”, është thënë nga kjo ambasadë.
Kujtojmë që ministrja Haxhiu ka thënë dje se vaksinimi nuk u shkakton asnjë problem nënave dhe foshnjeve andaj ata nuk duhet të kenë dyshime dhe duhet të vaksinohen.
“Para një muaji jam bërë nënë për herë të tretë. Ndërsa para një jave jam vaksinuar me dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19. Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Kanë konstatuar se vaksinimi i nënave gjidhënëse nuk shkakton asnjë problem tek nëna apo foshnja, andaj përmes këtij mesazhi si nënë gjidhënëse ju drejtohej dhe ju bëj thirrje të gjitha nënave që kanë dyshime se a duhet të vaksinohen apo jo. Vaksinohuni sa më parë! Shëndeti individual i secilit është garantues për shëndetin publik të të gjithëve. Le të kontribuojmë bashkërisht, për një shoqëri të shëndetshme”, ka thënë ajo.