Ambasada e Gjermanisë në Kosovë është shprehur e shqetësuar me situatën e krijuar në veri të vendit.
“Ne e shohim me shqetësim përshkallëzimin aktual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e tyre për Front Online.
Nga kjo ambasadë kanë thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell i ka bërë të qarta qëndrimet lidhur me situatën.
Ndër të tjerash Borell tha se “Zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i vënë në rrezik vitet e punës së palodhur dhe arritjet e arritura në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë”.
Nga Ambasada e Gjermanisë kanë thënë se i mbështesin plotësisht përpjekjet e Borellit dhe Lajçakut në këtë proces.
“Ne i mbështesim plotësisht përpjekjet e tij si dhe të Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak në këtë proces”, thuhet më tej në përgjigjen e Ambasadës.
Kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi, i cili është përgjegjës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka udhëtuar për në Bruksel me ftesë të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell. Në Bruksel po ashtu do të jetë edhe kryenegaciatori serb Petar Petkoviq. Palët ku pritet të zhvillojnënegociata për targat.
Gjatë ditës së djeshme, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet urgjentisht të gjejnë një zgjidhje për të ulur tensionet.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian tha se “nuk mund të arrijmë te 21 nëntori, pa pasur një marrëveshje”, dhe se siç thotë ai dorëheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës ka krijuar vakuum dhe mund të ndodhë më e keqja.
“Nuk mund të arrijmë te kjo datë pa pasur një marrëveshje ose do të jemi buzë një situate të rrezikshme. Tërheqja e serbëve nga institucione ka krijuar vakuum, mund të ndodhë më e keqja. Kështu që të dy palët duhet të tregojnë
më shumë fleksibilitet. Mesazhi nga Këshilli është i qartë, na duhet progres i qartë. E kemi prezantuar propozimin, e falënderoj Gjermaninë dhe Francën që e kanë mbështetur fuqishëm këtë propozim”, tha ai.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Qeveria e Kosovës do që të gjitha makinat të riregjistrohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës, por Serbia kundërshton, duke insistuar në targaneutrale ndaj statusit të Kosovës.