Një ditë më parë u bë e ditur se presidenti amerikan, Donald Trump ka nënshkruar Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili autorizon mbi 901 miliardë dollarë për programet e mbrojtjes dhe në të cilin është përfshirë edhe Kosova.
E pas këtij lajmi ka reaguar edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Uashington përmes një postimi në Facebook, ku thuhet se SHBA-të kanë riafirmuar mbështetjen e fuqishme për Republikën e Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë riafirmuar mbështetjen e tyre të fuqishme për Republikën e Kosovës përmes miratimit të National Defense Authorization Act (NDAA). Ligji nënvizon përkushtimin e SHBA-ve ndaj sovranitetit, sigurisë dhe rrugës euro-atlantike të Kosovës, mbështet dialogun Kosovë-Serbi të bazuar në njohje reciproke, dhe kundërshton qartë çdo ide për ndarje territoriale apo ndryshim kufijsh.
Mirënjohës Kongresit, Shtëpisë së Bardhë dhe gjithë atyre që u angazhuan në përfshirjen dhe miratimin e dispozitave me peshë për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
