Eksperti në Institutin e Studimeve të Sigurisë Kombëtare në Izrael, Remi Daniel, thotë se Kosova ofron mundësi të shumta për kompanitë izraelite dhe mbase ekonomia dhe zhvillimi do të jenë kahja e raporteve mes Izraelit dhe Kosovës.
Sipas tij,vendimi për hapjen e Ambasadës në Jerusalem, është një mundësi për Kosovën që të tregojë se mund të ketë një politikë të jashtme të pavarur dhe që nuk është e varur nga Turqia ose nga Bashkimi Evropian.
Në këtë intervistë për Radio Evropën e Lirë, eksperti Daniel flet edhe për situatën e fundit të shpërthimit të dhunës dhe Jerusalem mes palestinezëve dhe forcave izraelite.
Derisa shumë analistë kanë thënë se nëse dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të zgjasë, atëherë mund të shndërrohet në një situatë të njëjtë sikur mes palestinezëve dhe Izraelit, ai u pyt se a sheh ndonjë ngjashmëri në këtë aspekt.
“Po, ekzistojnë disa ngjashmëri. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë ekzistojnë ngjashmëri, pasi bëhet fjalë për faktin se çështja është për një territor relativisht të vogël, më shumë çështje kontestuese, konflikte, pastaj çështje të legjitimitetit, pra çështje që janë shumë të ndjeshme dhe që ngjallin shumë emocione në të dyja shoqëritë. Unë shoh gjithashtu një përpjekje të komunitetit ndërkombëtar për të luajtur një rol, edhe pse ai nuk është gjithmonë pozitiv. Të gjitha këto ne i kemi parë dhe ende po i shohim në kontestin e Izraelit me palestinezët. Pra, ngjashmëria mes dy rasteve është shumë relevante”, tha Daniel.
Daniel u pyet edhe në cilat drejtime do të zhvillojë Izraelit bashkëpunimin me Kosovën, derisa në muajin shkurt, Kosova dhe Izraeli kanë vendosur marrëdhënie diplomatike, duke u vlerësuar si njohja më e rëndësishme.
“Në përgjithësi, ekziston dimensioni politik që reflektohet kryesisht përmes votimit në organizata ndërkombëtare, por në rastin e Kosovën është paksa e komplikuar pasi nuk është e pranuar në organizatat kryesore ndërkombëtare. Pastaj është dimensioni simbolik dhe mendoj se në këtë aspekt, Izraeli ka përfituar maksimumin e asaj që ka pritur nga Kosova, me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Pra, nga këto dy këndvështrime, ndoshta Izraeli nuk ka një hapësirë për të zhvilluar raporte, por ekziston një rrugë e tretë për të kultivuar raportet që është zhvillimi dhe ekonomia”, tha tutje Daniel.
Dhe krejt në fund, eksperti Daniel u pyet për kritikat e Bashkimit Evropian dhe Turqisë për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
“Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem ka qenë e një rëndësie të veçantë simbolike për Izraelin, pasi Kosova është vendi i parë me shumicë myslimane në botë që hap ambasadën në Jerusalem. Pra, ka krijuar tensione me Turqinë dhe Bashkimin Evropian që kanë mendime të ndryshme për Jerusalemin”, tha ai.