Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se mbështesin përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar integrimin ekonomik.
Madje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëhet thirrje për inkurajim të liderëve rajonal të kërkojnë mundësi për të reduktuar barrierat tregtare.
Iniciativa Ballkani i Hapur, njohur ndryshe si ‘Mini-Shengeni Ballkani” është krijuar nga ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, përkatësisht presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Ata besojnë se kjo iniciativë ofron mundësi për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lëvizjes.
Madje lidhur me këtë iniciativë Edi Rama ka udhëtuar dje drejt Beogradit, në takim me përfaqësuesit e tjerë për të diskutuar për “Ballkanin e Hapur”.
Pavarësisht kësaj, Kosova nuk pritet të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur apo njohur ndryshe si “Open Ballkan”. Kjo madje ishte bërë e ditur nga vetë kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili pati deklaruar hapur se Kosova nuk do të jetë pjesë e kësaj nisme.
E një gjë të tillë Kurti e konfirmoi edhe në takimin e fundit që pati me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
“Qeveria e Kosovës është Qeveri e një shteti sovran. Ne përfaqësojmë popullin e Kosovës pas zgjedhjeve që i kemi fituar masivisht, si asnjëherë më parë, dhe çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet, zhvillohet në përputhje me interesat tona. Ne nuk e konsiderojmë interes të Kosovës, me një Serbi që mohon krimet e luftës, dhe nuk e njeh pavarësinë, të bëhemi bashkë e të vendosim me shumicë votash aty”, ka thënë Kurti.
Lidhur me iniciativën e “Open Ballkan”, lajmi.net ka kontaktuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Të njëjtit kanë deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin me gjithë zemër përpjekjet e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, për të thelluar dhe forcuar integrimin ekonomik rajonal gjithëpërfshirës sipas rregullave dhe standardeve të Bashkimit Evropian.
“Ne inkurajojmë liderët rajonalë të kërkojnë mundësi për të reduktuar barrierat tregtare, për të rritur konkurrencën ekonomike dhe për të ndërtuar ekonomi të integruara rajonale dhe elastike që ofrojnë për qytetarët e tyre”, u tha në përgjigjen e ambasadës.
Poashtu është theksuar se krijimi i një tregu të përbashkët rajonal-një tre që siguron lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave, kapitalit dhe shërbimeve-është thelbësor për të tërhequr investime dhe për të nxitur investime dhe për të nxitur rritjen ekonomike.
“Ballkani Perëndimor është një rajon me potencial të jashtëzakonshëm të pashfrytëzuar, i mishëruar nga vizioni dhe përpjekjet e popullit të tij për t’u bërë një rajon i lulëzuar dhe i begatë, i integruar plotësisht në Bashkimin Evropian” u tha tutje nga Ambasada e Amerikës. /Gazeta Enigma.