Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, në një shkrim autorial të publikuar në faqen zyrtare të Ambasadës së Gjermanisë, ka folur për mikpritjen që ka gjetur në Kosovë, punën që do të bëjë, si dhe për fokusin e tij në çështjet kryesore të vendit.
Diplomati gjerman ka theksuar se pritja kryesore që ka është përparimi i Kosovës drejt integrimit evropian dhe avancimi i dialogut me Serbinë.
Ai pret nga Qeveria e re një angazhim të fortë në këtë proces të normalizimit të raporteve.
“Nga një qeveri e re, na duhet një angazhim i fortë ndaj dialogut të normalizimit të udhëhequr nga BE. Zgjedhjet lokale të qeta dhe dorëzimi i administratave komunale te kryetarët e sapozgjedhur të bashkive në veri ishin padyshim inkurajuese në këtë drejtim. Në fund të fundit, të gjitha komunitetet në vend duhet të ndihen si në shtëpi në një Kosovë shumë-etnike”, ka shkruar Rudolph.
Ai ka theksuar rëndësinë që Kosova të përqendrohet në hapat që mund të ndërmarrë vetë, duke përmendur lajmin e fundit nga Komisioni Evropian për avancimin e heqjes së masave ndaj Kosovës pas transferimit paqësor të qeverisjes lokale në veri pas zgjedhjeve.
“Njoftimi i fundit se Komisioni Evropian po ecën përpara për të hequr masat ndaj Kosovës pas transferimit paqësor të qeverisjes lokale në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale është një lajm i shkëlqyer”, ka shtuar ai.
Rudolph gjithashtu ka theksuar nevojën për një qeveri që të flasë në emër të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe që të zbatojë vendimet brenda vendit.
Sipas tij, ngërçi i vitit 2025 ka dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe ka shkaktuar humbje të mjeteve financiare që vendi mund t’i kishte marrë.
