Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher R. Hill, ka ironizuar me deklaratat nga largësia të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, të cilët ditëve të fundit kanë përmendur rreziqet për një luftë në rajon.
Tensionet nisën pas vendimit të Kurtit për reciprocitet në targa dhe dokumente me Serbinë, që çuan edhe në bllokimin e rrugëve të veri të Kosovës, gjë që bëri që Kurti me këshillat e ambasadorit amerikan në Kosovë ta shtyjë zbatimin e vendimit për një muaj, deri më 1 shtator.
Por, ambasadori amerikan n[ Beograd, Christopher Hill, i cili njihet për rolin e tij të madh gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se askund në botë nuk ka filluar asnjëherë ndonjë luftë për një targë, transmeton Demokracia.com.
Hill ka thënë se e konsideron të pamundur konfliktin e armatosur.
Ai citohet t’i ketë thënë presidentit serb që në histori luftërat kanë filluar për tokën, paratë, madje edhe për një grua të bukur.
“Kjo do të ishte lufta e parë që kam dëgjuar ndonjëherë që të ketë filluar për një targë”, i ka thënë Hill – Vuçiqit.
Hill ka thënë se Rusia, duke ofruar vetëm “shantazh ekonomik” dhe “kaos në të gjithë rajonin”, kishte gjetur pak mbrojtës, porse edhe e ardhmja e Serbisë është në Evropë.
“Pavarësisht ndikimit të Rusisë në sektorin energjetik të Serbisë dhe pavarësisht përpjekjeve të saj të përhapura dezinformuese këtu, serbët kanë vendosur që e ardhmja e tyre është me Evropën dhe Perëndimin”, ka thënë Hill, duke dalë kështu edhe kundër “narracionit” të liderëve të Kosovës për një konflikt të ri të mundshëm.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, brenda pak ditëve ka folur dy herë për mundësinë e fillimit të një lufte në Kosovë.
Kurti po konsideron se do të ishte e papërgjegjshme të përjashtohej mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja.
Në një intervistë dhënë Reuters, ai pohoi sërish se mund të ketë një konflikt të ri, derisa shtoi se “ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar”.
“Unë nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë ose në vijim, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohej mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”, tha ai.
Veç kësaj, Kurti shtoi se Kosova është shtet dhe do ta mbrojë sovranitetin.
“Ne kemi institucionet dhe organet tona të sigurisë dhe mbrojtjes, Kosova tani është shtet, ky nuk është viti 1998…Ky është viti 2022, kështu që ne jemi shumë më të përgatitur për të mbrojtur sovranitetin tonë, integritetin territorial, për të mbrojtur demokracinë, sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe për të mbrojtur progresin tonë”, ka thënë ai.
Luftën, kryeministri Kurti e përmendi edhe para pak ditësh në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”.
Kurti këtu nuk e përjashtoi mundësinë e një konflikti në Kosovë për shkak të Rusisë, e cila sipas tij po tenton të shtrijë ndikimin e pansllavizmit.
“Nuk dua të them shumë i lartë, sepse këtu kemi kontigjentin e NATO-s, por sigurisht mbetet i lartë. Mbi të gjitha, jemi një demokraci që kufizohet me një autokraci. Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të vogla, por tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë që u shënua në Ukrainë ishte rezultat i idesë së pansllavizmit që ka Kremlini. Nëse do ta kishim një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, do të jenë të mëdha”, tha Kurti për “La Repubblica” të Italisë.
Pasi kryeministri Albin Kurti deklaroi se për shkak të politikës agresive të Beogradit nuk e përjashton mundësinë e një konflikti të ri, presidenti serb Aleksadar Vuçiq hodhi akuza të rënda duke thënë “autoritetet e Prishtinës po përgatiten për likuidimin e serbëve në veri të Kosovës”.
Në një konferencë për media nga zyrat e tij, Vuçiq është kujdesur të çojë mesazhe agresive vetëm një javë para takimit me Kurtin në Bruksel.
Ai tha se përveç gjuhës së rëndë, pala kosovare po përgatit sulm dhe vrasje në veri.
Po ashtu, Vuçiq ka nxitur serbët që të mos i pranojnë vendimet e Kosovës për targat RKS dhe dokumentet për hyrje-dalje në Kosovë.
“Dhe unë ju them, ata po përgatisin likuidimin e njerëzve tanë në veri dhe këtë jua them hapur dhe i paralajmëroj të mos e bëjnë këtë, nën maskën e luftimit të krimit dhe nuk e di se çfarë… Të vrasim njerëz dhe ne nuk duam të vrasim askënd, nuk na pëlqen as ta përmendim, na duhet paqe dhe stabilitet”, tha presidenti i Serbisë.
Por, përkundër deklaratave për luftë, Kurti e Vuçiq do të takohen në Bruksel më 18 gusht.