De Riu potencon se Italia nuk është kundër hapjes së urës, por se shton se kjo duhet të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian, vendet e QUINT-it dhe komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu thotë se hapja e urës mbi lumin Ibër duhet të bëhet në koordinim me faktorët ndërkombëtarë.
Ky veprim, sipas tij, reflekton në aspektin e sigurisë dhe si i tillë duhet të vlerësohet me kujdes.
De Riu potencon se Italia nuk është kundër hapjes së urës, porse shton se kjo duhet të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian, vendet e QUINT-it dhe komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi.
Ambasadori italian, ka folur edhe për sigurinë e përgjithshme në Kosovë, për çka thotë se nuk shihet ndonjë rrezik i madh i përshkallëzimit të situatës.
Përveç këtyre, De Riu thotë se është vërejtur një trend në rritje i shkëmbimeve tregtare, duke ngritur eksportet italiane në Kosovë dhe ato kosovare në Itali.
“Hapja e urës, siç është thënë edhe në nivel të Bashkimit Evropian dhe të Quint-it, duhet të jetë një akt i përbashkët përmes një operacioni të koordinuar me faktorët ndërkombëtarë. Prandaj, ajo që kërkojmë, si në shumë situata të tjera, është që të ketë koordinim me komunitetin ndërkombëtar. Hapja e kësaj ure, duke pasur reflektime nën aspektin e sigurisë, sipas nesh duhet të vlerësohet me kujdes. Nuk jemi kundër hapjes së urës, por kërkojmë, si në shumë situata të tjera, që të ketë një koordinim me Bashkimin Evropian, me vendet e QUINT-it dhe me komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi”, thotë De Riu.
Sipas tij, momentalisht nuk ka ndonjë rrezik të madh të përshkallëzimit të situatës në Kosovë, ngase sipas tij, ushtarët e KFOR-it, po i monitorojnë kufijtë e vendit duke garantuar stabilitet dhe siguri.
“Për momentin nuk shohim një rrezik të madh të përshkallëzimit për arsyen e thjeshtë se kemi ushtarë të KFOR-it që monitorojnë kufijtë e vendit dhe garantojnë stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës. Dhe dua t’iu kujtoj se në kuadër të kontingjentit të KFOR-it, numri më i madh i kontingjentit kombëtar brenda forcave të KFOR-it, janë italianë, me 815 ushtarë italianë që monitorojnë sigurinë e Kosovës dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë”, thotë De Riu për KosovaPress.
Ndër të tjera, De Riu flet edhe për liberalizmin e vizave në Kosovë, për çka shpreson se do të sjellë rritje të vizitave të qytetarëve kosovarë në Itali, ngase kjo mund të rrisë gjithashtu numrin e fluturimeve drejt Italisë.
“Liberalizimi i vizave u ka mundësuar – më në fund – shumë qytetarëve kosovarë që të udhëtojnë në Evropë për turizëm apo edhe për të takuar të dashurit e tyre dhe kjo padyshim që ndodh edhe në Itali, ku janë mbi 46.000 qytetarë kosovarë që jetojnë në vendin tim. Natyrisht se është edhe një nxitje për turizmin dhe shpresojmë që liberalizimi i vizave do të sjellë një rritje të vizitave të qytetarëve kosovarë në Itali dhe kjo mund të rrisë gjithashtu numrin e fluturimeve drejt Italisë, aktualisht e kufizuar vetëm në qytetin e Milanos, vetëm dy herë në javë. Ne po punojmë për ta rritur numrin e fluturimeve edhe në qytete të tjera”, potencon De Riu.
Ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu thotë se të dhënat e vitit të kaluar tregojnë se është rritur numri i eksporteve italiane në Kosovë dhe anasjelltas.
Ai shton se po punohet në rritjen e ndërveprimit mes biznesmenëve kosovarë dhe atyre italianë.
“Është ende herët për ta thënë me siguri, por të dhënat e vitit të fundit (2023) pasqyrojnë një trend në rritje të shkëmbimeve tregtare, duke rritur eksportet italiane në Kosovë dhe gjithashtu ato kosovare në Itali. Aktualisht, sipas mendimit tim, me të dhëna ende shumë të paplota, është e vështirë të bëhen parashikime se sa mund të ndikojë rritja e vizitave të qytetarëve kosovarë për arsye turistike në shkëmbimet tona tregtare. Ne gjithsesi po punojmë për të rritur ndërveprimin mes biznesmenëve kosovarë dhe italianë në mënyrë që të krijohen mundësi më të mëdha për biznes dhe investime, edhe këtu në Kosovë”, thekson De Riu./KP