Hulumtuesi nga ‘Demokraci Plus’, Emir Abrashi thotë se SHBA do të bëjë presion mbi palët në dialog.
Ai në RTV Dukagjini thotë se krahasuar me Administratën Obama, Administrata Biden kanë një rol më aktiv në dialog.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të interesuara të përfshihen direkt në dialog, dhe me ardhjen e Biden në Shtëpinë e Bardhë “topi” i është kthyer Bashkimit Evropian sa i përket dialogut. Megjithatë Administrata Biden do të jetë më aktive se ajo Obama në dialog duke i asistuar BE-së”, tha ai.
Abrashi thotë se megjithatë një involvim i drejtpërdrejtë i SHBA në dialog do të mund të nxiste Serbinë që të kërkojë involvimin e Rusisë apo Kinës në dialog.
“SHBA nuk është e interesuar që në këtë proces të futen edhe Rusia apo Kina”.
Anëtari nga shoqëria civile thotë se qeveria sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të lëshojë pe ose do të duhet të lëshojë rrugë.
Sipas tij nëse nuk lëshohet pe do të rrezikohet dialogu dhe raportet me aleatët.
Abrashi thotë se SHBA ka dërguar në Ballkan ambasadorë me shumë eksperiencë dhe sipas tij kjo do ta pamundësojë ndonjë bllokadë të dialogut. /Gazeta Enigma/.